
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se audiopërgjimi që ka publikuar PD-ja është i stisur dhe se nuk ka pasur asnjë bisedë mes ‘Dëshmitarit X’ dhe Agron Xhafës. Balla tha se pas aventurës së PD-së me audiopërgjimin qëndron vetë ish-kryeministri Berisha, për arsye që kanë të bëjnë me 613 kg e kokainës së sekuestruar disa javë më parë në Durrës.
“Nuk ka patur bisedë mes Babales dhe vëllait të ministrit. Prokuroria të bëjë sa më shpejt ekspertizën sepse po rrezikohet autorësia e përgjimit dhe po ngelet jetim. Ne e dimë mirë që Basha në këtë aventurë të rrezikshme është futur nga Berisha për një arsye që ka të bëjë me 613 kg kokainë”, tha ai.
Balla shtoi se në ditët në vijim do të ketë do të zbulohen lidhjet mes të akuzuarve për kokainën e Durrësit dhe personave në rangje të larta të PD-së.
“Prisni e duroni, ditët në vijim do jenë shumë të rëndësishme për lidhjet e personave të akuzuar për 613 kg kokainë me persona të rangjeve më të larta të PD. Historia e përgjimit po dëmton Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Kjo nuk i bën mirë Shqipërisë”, tha Balla.
Kreu i grupit socialist ripërsëriti se akuza të tilla po dëmtojnë hapjen e negociatave me BE-në.
“Ndërkohë, është e qartë për ne edhe që ky përshkallëzim lidhet me kokainën e kapur nën banane, për të cilën kanë qenë kumbarë njerëz të rangut më të lartë në PD! Edhe kjo e vërtetë do të dalë, po puna është që ndërkohë po sabotohet çelja e negociatave etj përmes kësaj balte të përditshme që në fund i bën keq Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.



