
Marjola Bejkollari nga “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka deklaruar për MCN Informacion se procesi i votimit nga diaspora është shoqëruar me parregullsi.
Sipas saj, ka një disproporcion mes numrit të votuesve dhe votave të numëruara, dhe raste ku zarfi është dorëzuar dorazi, në kundërshtim me rregullat.
Ajo shtoi se ka pasur prani të përfaqësuesve të partisë në pushtet në qendra votimi dhe intimidim ndaj vëzhguesve.
“Ne do të dalim me një konkluzion ose një raport zyrtar dhe, deri më tani, nuk do të doja të jepja një informacion të pasaktë. Megjithatë, padyshim që kemi konstatuar një disproporcion mes numrit total të individëve që kanë votuar dhe votave të numëruara.
Vetëm dje, pashë një deklaratë nga zoti Celibashi, i cili e përshkruante këtë si një proces ku persona të ndryshëm kanë dorëzuar edhe zarfin personalisht – një veprim që bie ndesh me rregullat e procesit.
Megjithatë, i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të japë përgjigjen zyrtare dhe përfundimtare mbi ecurinë e këtij procesi.
Padyshim që kemi marrë disa indicie nga vëzhguesit tanë, sipas të cilave përfaqësues të partisë në pushtet kanë qenë të pranishëm në sallat apo vendet e votimit. Ka pasur përpjekje për intimidim ndaj vëzhguesve tanë.
Siç e theksova edhe më herët, ne do të përgatisim një raport zyrtar dhe do t’ua përcjellim të gjitha palëve përkatëse, duke nisur nga OSBE-ja, KQZ-ja dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë.”



