
Diaspora shqiptare i është bashkuar protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Protesta po cilësohet nga organizatorët si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit, ndërsa në tubim kanë marrë pjesë edhe emigrantë shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës.
Pasi organizuan protesta pranë ambasadave shqiptare në shtetet ku jetojnë, dhjetëra emigrantë kanë mbërritur në Shqipëri me autokolona automjetesh dhe flamuj kuqezi, duke iu bashkuar manifestimit përpara Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit nga diaspora deklarojnë në foltore se kërkojnë ndryshime politike dhe reforma demokratike, ndërsa kërkuan publikisht dorëheqjen e kryeministrit.
Një emigrant i ardhur nga Britania e Madhe, gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e protestës, i bëri thirrje Edi Ramës të largohet nga detyra.
“Ju rrezatoni shpresë, ndryshim dhe revolucion. Kjo është një lëvizje qytetare për transformim dhe reforma demokratizuese. Nga Britania i kërkojmë Ramës dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie teknike që të garantojë procese demokratike dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ramën e sfidoj: jep dorëheqjen deri më 21 qershor dhe lëre vendin të zgjohet i lirë më 22 qershor”, u shpreh ai.
Një tjetër emigrant nga Londra tha se ishte larguar nga Shqipëria 27 vite më parë dhe se ishte rikthyer për t’iu bashkuar protestës.
“Diaspora është me ju. Rama, jep dorëheqjen. U largova nga Shqipëria sepse nuk doja ta vidhja vendin tim. Sot jemi këtu për t’i thënë kryeministrit se koha e tij ka përfunduar”, deklaroi ai.
Ndërsa një tjetër pjesëmarrës nga diaspora tha se kishte ardhur për të mbështetur protestën e të rinjve dhe kërkoi largimin e kryeministrit.
“Kam ardhur nga diaspora për të mbështetur protestën e rinisë. Shqipëria është e rinisë, jo e korrupsionit”, tha ai.
Një protestues i ardhur nga SHBA iu bashkua tubimit të zhvilluar para Kryeministrisë, duke shprehur mbështetjen e tij për protestën e të rinjve.
“Jam Luli Strazimiri, vij nga Amerika, ku jetoj prej 30 vitesh. Kam ardhur për të mbështetur protestën e rinisë. Rama ka vetëm 24 orë kohë, pastaj të fshihet si mi halesh. Rroftë rinia”, u shpreh ai.
Protesta vijon përpara Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.



