
Korriku që kemi lënë pas ka qenë muaji më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë në 140 vitet e fundit. Me një temperaturë mesatare në nivel botëror 0.95 gradë mbi mesataren e shekullit të njëzetë, muaji i kaluar ka lënë pas edhe korrikun e vitit 2016, që njihet si një nga më të nxehtët. Efekti i vapës përvëluese të korrikut është parë menjëherë te akullnajat polare, të cila kanë rënë në minimumin historik.
Në Arktik, akullnajat janë reduktuar me 19.8% nën mesataren, ndërsa në Antarktidë me 4.3 %. Rezultatet kanë dalë nga një kërkim i kryer nga enti amerikan për kërkimet mbi atmosferën dhe oqeanet.
Sipas raportit, 9 nga 10 muajt korrik më të nxehtë janë regjistruar pas vitit 2005. Me rekordin e regjistruar, korriku i 2019-s shenjon edhe pjesën e parë të vitit, e cila në disa zona të globit ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.
Por nëse toka ka qenë e nxehtë, edhe detet nuk kanë mbetur pas. Ato kanë arritur temperatura që u janë afruar niveleve të vitit 2016. Kështu, viti 2019, së bashku me 2016-n dhe 2017-n, mund të konsiderohet një nga tre vitet më të nxehta, që nga koha kur kanë filluar të regjistrohen të dhënat mbi motin.



