Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të zhvillojë sot seancën gjyqësore për gjyqtaren e Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila u arrestua tri ditë më parë me një urdhër të SPAK. Po ashtu, para gjykatës do të dalë edhe avokati Aldo Tabaku, kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, mjekë, të dënuar dhe familjarë të tyre.
Seanca për caktim masë sigurie pritet të nisë rreth orës 10:00. Në dosjen e prokurorisë thuhet se gjyqtarja Hoxha së bashku me bashkëpunëtorët e saj, me në krye avokatin Aldo Tabaku, kishin krijuar një skemë të mirëfilltë kriminale, që përfundonte me lirimin e të burgosurve.
Prokuroria thotë se të dënuarit fillimisht zgjidhnin që si mbrojtës të tyre të ishte avokati Aldo Tabaku. Ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleida Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt.
Një ditë më parë u publikuan foto të përdorura si provë nga SPAK në këtë proces, ku gjyqtarja shihet jashtë orarit të punës së bashku me avokatin Aldo Tabaku, në një kohë kur kjo është e ndaluar me ligj. Gjatë hetimeve, ka rezultuar se lirimet e të dënuarve bëheshin kundrejt përfitimit monetar, që shkonin nga 6 deri 12 000 euro. Në lojë, futej edhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuci e cila ndërhynte te shorti, me qëllim që kjo çështje gjyqësore të përfundonte në duar e gjyqtares Enkelejda Hoxha.
Të arrestuarit
1. Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;
2. Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.
3. Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;
4. Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko–ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;
5. Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
6. Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
7. Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
8. Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
9. Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
10. Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.



