Duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv për hetimet mbi abuzimet te AKSHI, analisti Denis Dyrnjaja tha se sapo është hapur dosja “5A”, ku 80 për qind e tenderave shpërndaheshin te e njëjta dorë, Ermal Beqiri. Dyrnjaja nuk mendon se Agasi është njeriu i Ramës, megjithatë ai thekson se kryeministri duhet të flasë për këtë histori.
“Tani sapo është hapur dosja “5A” te AKSHI! Mendoj që Edi Rama po merr shumë kosto nga kjo histori. Do ishte naivitet që të mendoja që Rama ka marrë në telefon Ergys Agasin, që është i implikuar në këtë rast, dhe i ka thënë merre cik peng atë Gerond Meçen apo Daniel Shimën! Kryeministri i bie të jetë shefi i Camorra-s në Shqipëri! Por po të pretendojmë këtë është shumë. Por kryeministri edhe duhet të flasë për këtë dreqi ta hajë, të thotë që s’kam punë me Agasin se s’është shoku im. Të bëjë një lloj reagimi për këtë punën e AKSHI-t se ka nevojë edhe për të çliruar edhe veten. Ishte Agasi njeri i vet apo jo? Unë them se jo se do më dukej e palogjikshme. Është rastësi që 80 për qind të tenderave përfundojnë në të njëjtën dorë?! ‘Prestanome’ është një kompani fituese dhe mprapa është Ermal Beqiri. Është skema ‘5A’. Të gjithë kanë vendosur pompat te AKSHI, dhe të gjithë lekët te i njëjti burim, që më pas shpërndahej si një lloj oktapodi te grupet. Pasojat politike janë kosto që vijnë me zgjedhjet. Sot për sot shohim vetëm pasoja ligjore dhe juridike”.
Dyrnjaja ngre pyetjen përse opozita nuk e përmendte dikur me emër Ergys Agasin, por zgjodhi të falsë tani pas nisjes së hetimeve nga SPAK.
“Pse s’e përmendi deri dje opozita Ergys Agasin me emër? Kur e përmendnim ne nëpër studio, opozita heshte. Nga SPAK-ut trimërohet opozita. Sot janë forcuar, janë djem të fortë, gangsterë politikë! Pse nuk flisnin deri dje këta?! Kush ua kishte mbyllur gojën?! Këtu ka një gjë që s’shkon me moralin politik, me të vërtetën e tyre. Këta janë të kontaminuar, të bërë pis. Janë në autogol total, s’dinë të sillen politikisht. S’dinë të sillen as me SPAK-un, njëherë e konsiderojnë organizatë kriminale, njëherë i vendosin mbiemrin Troplini Dumanit. Këta avantazhin s’dinë ta kapin, por merren me retorika, bëjnë sikur bëjnë luftë me qeverinë”.
Lidhur me betimin e Endrit Shabanit si Avokat të Popullit, Dyrnjaja thotë:
“Puthja ironike e Shabanit mendoj që ishte një emotivitet i tepruar i një fëmije politik që lumturohet për atë që mori, në një kombinim politik që i shkoi si peshqesh. Ishte e tepërt ajo mënyrë përshëndetje, qoftë edhe cinike, qoftë edhe sfiduese. Konfirmon pretendimet e të gjithë palëve, që e kemi ditur që më parë që Shabani do ishte njeriu i përzgjedhur nga mazhoranca, por që në lojë ra edhe opozita. Falja që kërkojnë është e turpshme, më mirë t’i qëndronin deri në fund firmës”.
Sipas tij, Ervin Salianji nuk ka të ardhme politike dhe është një njeri i shantazhueshëm.
“S’besoj se ka asnjë të ardhme, është personi i gabuar, në vendin e gabuar. Ka shumë njolla në sjelljen e tij politike. Çështja Babale do ta gjëmojë pas, ku ai është aty një njeri i përdorur, i vetpërdorur. Vetëm sikur t’i thotë një pasazh të vogël Berisha për Babalen, është i shantazhueshëm Salianji. Salianji vet ka qenë i orientuar të përzihet me këto rrymat e errëta, kulisat e errëta, sepse e ka parë veten si njeri i fortë, si ministër i Brendshëm në PD”.



