
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se Shqipëria nuk ka kapacitete për të pritur emigrantë. Në një prononcim jashtë sallës së Parlamentit, Balla tha se nuk ka asnjë negociatë në lidhje me këtë çështje. Megjithatë, Balla nuk e përjashtoi mundësinë në rast të një kërkese të tillë nga ana e BE-së, duke shtuar se Shqipëria duhet të plotësojë angazhimet e saj, por aq sa e ka përgjegjësi.
“Një budalla hedh një gurë në lumë dhe qindra të mençur duan të sqarojnë opinionin. Ajo që ka të bëjë është dezinformim që në Shqipëri do të vendosen kampe për të strehuar 600 mijë azilantë. Ka një dallim se njëherë thonë luftëtarë të ISIS-it dhe njëherë 600 mijë persona. Lexojini rrjedhjet psiqike në rrjetet sociale. Ajo që dua të sqaroj është se nuk ka asnjë plan asnjë negociata, as bisedë me këtë çështje. Ka vetëm rikthim të shqetësimit për një kanal të ri që lidh Europën juglindore me Europën Qendrore të rrugës që vijnë me konflikte. Shqipëria as nuk ka negociuar dhe s’ka as nuk ka pasur kapacitete për të strehuar numra të tillë. Një vend si Shqipëria që mund të jetë pjesë e këtij kanali transferimi dhe duhet të mbajë përgjegjësinë e veta për aq sa i takojnë këllqet. Shqipëria do të mbajë përgjegjësitë e veta për aq sa i takon”, tha Balla.



