
Me 2958 vota pro, 2 kundër dhe 3 fletë të bardha, Kongresi Kombëtar i Popullit Kinez ka votuar reformën kushtetuese, një ndryshim që i jep mundësinë presidentit Xi Jingping të vijojë të mbajë këtë post pa afat të përcaktuar. Pas epokës së Mao Ce Dunit, në politikën kineze u vendos rregulli i dy mandateve 5-vjeçare, pikërisht për të shmangur rrezikun e një njeriu të vetëm në pushtet për shumë vite. Pra, ky ndryshim kushtetues shënon një kthim në të shkuarën.
Xi Jingping, 64 vjeç, është president që nga marsi i vitit 2013, kur është zgjedhur nga Kongresi me 99.86 % të votave, vetëm një votë kundër dhe 3 abstenime. Por sot numrat kanë ndryshuar. Xi mban edhe postin e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, të presidentit të Komisionit Qendror Ushtarak dhe disa organizatave të tjera qeveritare, disa prej të cilave janë ngritur gjatë qeverisjes së tij.
Po çfarë do të thotë kjo reform që i lejon presidentit Xi Jingping të mbajë postin e kreut të shtetit përtej vitit 2023, kur do të mbarojë mandati i tij i dytë. Në Kinë ka pasur polemika pasi filloi diskutimi për reformën e propozuar nga Kongresi, më 25 shkurt. Në internet menjëherë filluan të qarkullonin kritika dhe lojëra fjalësh si Xi Ce Dun, që u censuruan menjëherë, por edhe letra të hapura të intelektualëve që ngitën shqetësimin për rrezikun e ri të rikthimit të maoizmit.
Por profesori i të drejtës në universitetin “Tsinghua”, Wang Chenguang, thotë se ndryshimet kushtetuese nuk duhet përkthyer si presidencë e përjetshme. “Ndryshimet prekin vetëm limitet e përkohshme të detyrës presidenciale, por jo ato të Kongresit, i cili e rizgjedh”, thotë ai. Por vetëm vitet e ardhshme do të tregojnë nëse sot në Kinë është zgjedhur një president me mandat të papërcaktuar apo një perandor. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



