Ekonomisti Gjergj Bojaxhi tha në emisionin “Arnautistan” se kryeministri Rama e ka centralizuar korrupsionin. Bojaxhi tha se nuk ka asnjë vend në Europë ku kryeministri mund të heqë çdo ministër dhe mos ndodhë asnjë krizë.
Sa i takon Berishës, Bojaxhi tha se dështimi i tij më i madh është që la një tokë të djegur në PD, ku nuk dolën alternativa të reja pas konfliktit me Bashën. Sipas tij Basha ka vepruar i pandikuar nga Berisha pas vitit 2017.
Unë një politikan të suksesshëm quaj një politikan që i sjell të mira shoqërisë së vet. Unë mendoj se ata janë njerëz të suksesshëm për karrierën, unin e tyre. Unë s’jam i interesuar për këtë pjesë, sepse në punën time jam njeri i suksesshëm. Fuqia duhet të vijë nga vota. Unë s’e pranoj që fuqia ime të vijë nga kryeministri apo ai që të emëron. Edhe kur kam qenë zv. Ministër apo drejtor KESH-i s’ka dalë ndonjëherë Berisha të më mbështesë, siç bën Rama me titullarin e vet. Duhet të ndërtosh diçka që të qëndrosh me këmbët e tua. Është një sukses i bazuar në shkelje ligjore, kapje pushteti. Janë banditë në struktura politike. Nëse ata do ishin në garë apo procese të pakapura, nëse do kishim një shtet të bazuar në ligj, ku administrata të ishte e pavarur, s’besoj se do ishin të suksesshëm. Nëse do kishim parti ku të vendosej me një anëtar një votë nuk do ishin kaq të suksesshëm. Kryetarët e partive ishin të fuqishëm edhe para 2008-ës, por për shkak të mënyrës si ishte ndërtuar Kodi Zgjedhor, kryetari i partisë ishte i detyruar të merrte parasysh disa individë dhe të bënte ca kompromise. Pas 2008-ës ky proces u eliminua. Berisha dhe Rama e bënë atë marrëveshje për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të konsoliduar pushtetin. Në 10 vitet e fundit të Ramës kryeministër kemi centralizim të çdo gjëje. Rama ka centralizuar korrupsion. S’ka asnjë vend në Europë që kryeministri mund të heqë çdo ministër dhe mos ndodhë asnjë krizë!
Basha ishte një kryetar që s’i frymëzonte s’u thoshte asgjë. Shumë njerëz në PD, nuk mbështetën Berishën se e duan Berishën, por se donin të hiqnin Lulin. Njerëzit duan një ndryshim. Është qesharake që ky ndryshim të vijë nga Berisha. Por midis këtyre zgjedhjeve të këqija, kjo ishte zgjedhja që anëtarësia pranoi. Ka një grupim brenda partisë së Berishës që nuk donin që Berisha të ishte kryetar. Por s’kishin ndonjë alternativë tjetër. Kur të dështojë në 2025, dhe mendoj që do dështojë Berisha, mbase do dalin. Me aq sa kam unë informacion që nga çadra e këtej vendimet i ka marrë vet. Çdo gjë e ka bërë si i ka dashur kokrra e qejfit. Berisha ka qenë i frustruar, i bezdisur. Berisha ka duruar gjithë këto vite. Pas kësaj krize të krijuar pas dështimeve të Lulzim Bashës, pas këtij konflikti, nuk dolën njerëz që të kenë potencial dhe kredibilitet për të ofruar alternativa. Dështimi më i madh i Berishës është që ka krijuar një tokë të djegur në PD. Prandaj është model i dështuar. Mes dy zgjedhjeve votuesit duhet të anojnë pak më shumë nga opozita. Ata që duan të dënojnë Berishën duhet ta konsiderojnë këtë dënim në 2025-ën dhe jo tani që janë zgjedhjet lokale”.



