
Ish-Presidenti Bamir Topi është paraqitur në SPAK, ku është pyetur për rreth një orë e gjysmë si person që ka dijeni mbi krimin shtetëror të 21 janarit, ngjarje që ndodhi gjatë kohës kur ai mbante detyrën e Kreut të Shtetit, në vitin 2011.
Në dalje nga Prokuroria e Posaçme, Topi deklaroi se ka folur gjatë rreth ngjarjes së 21 janarit, por se në kushtet e hetimit aktual nga SPAK, nuk mund të japë detaje apo komente mbi deklarimet e tij para prokurorëve.
Ndërkohë, ish-prokurori Ervin Karanxha, i ftuar në “MCN Live”, u shpreh se fakti që në librin e tij Bamir Topi ka sqaruar se ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha e ka takuar në zyrë për t’i kërkuar ndikim mbi çështjen, është një tregues i qartë se procedimi penal për zyrtarët e lartë duhej të ishte regjistruar shumë më herët.
Sipas Topit, më datë 22 janar ai ka takuar Prokuroren e Përgjithshme, e cila i ka shprehur shqetësim për provat.
Ndërsa më 23 janar, në mëngjes, në zyrën e tij ka shkuar ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili i ka kërkuar të ndikonte te Kryeprokurorja Ina Rama në lidhje me urdhrat e ndalimit dhe masat e sigurimit për arrestimin e gardistëve.
Topi shkruan se e ka përcjellë Bashën dhe i ka thënë të merret me detyrat e tij dhe të respektojë ligjin.
Deklarimet e ish-Presidentit ngrenë disa problematika të rëndësishme juridike që Prokurorja e Përgjithshme ka pasur dijeni të plotë për hetimin, dhe fakti që palët i janë drejtuar asaj tregon se ajo ishte personi që drejtonte çështjen.
Kërkesa e Bashes për të ndikuar përbën ndikim të paligjshëm në një organ tjetër të drejtësisë, veprim i cili duhej të ishte hetuar menjëherë.
Takimi ka sjellë pasoja procedurale, sipas Karanxhes, pasi hetimi ndaj zyrtarëve të lartë nuk është bërë në kohë.
Në parim, ministri i Brendshëm që ka kërkuar ndërhyrjen duhej të ishte nën hetim ose të paktën duhej të ishte pyetur. Fakti që nuk është thirrur është shkelje procedurale.
Procedimi penal për zyrtarët e lartë duhej të ishte regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi në atë kohë çështja ishte nën juridiksionin e këtij institucioni.



