Gjykata Supreme e Brazilit ka urdhëruar arrest shtëpiak për ish-presidentin Jair Bolsonaro, i cili është në gjyq për përpjekjen për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022 pas humbjes së tij.
Rasti ka çuar tashmë në tensione me Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti Donald Trump e quajti atë një “gjueti shtrigash” dhe vendosi tarifa të larta prej 50% ndaj Brazilit.
Gjykatësi i Gjykatës së Lartë braziliane, Alexandre de Moraes, vendosi të hënën që Bolsonaro të vihet në arrest shtëpiak dhe t'i ndalohet përdorimi i telefonave celularë. Ai gjithashtu i ndaloi ish-presidentit të priste vizitorë, përveç ekipit të tij ligjor dhe individëve të autorizuar nga gjykata.
Bolsonaro shkeli masat paraprake gjyqësore të vendosura ndaj tij muajin e kaluar dhe përdori llogaritë e mediave sociale të tre djemve të tij për të publikuar mesazhe "që qartë inkurajonin dhe nxisnin sulme ndaj Gjykatës Supreme Federale dhe mbështesnin hapur ndërhyrjen e huaj në gjyqësorin brazilian", tha Moraes në vendimin e tij.
Javën e kaluar, presidenti amerikan akuzoi Brazilinë për shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut dhe për persekutim të padrejtë të Bolsonaros, dhe vendosi një tarifë prej 50% për mallrat braziliane, norma më e lartë e vendosur aktualisht nga SHBA-ja.
Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva ka dënuar përpjekjet e Trump për të përdorur tarifat për të ushtruar presion mbi Brazilin lidhur me gjyqin e Bolsonaros.
Duke folur në një aktivitet të Partisë së Punëtorëve në Brasilia të dielën, Lula akuzoi Uashingtonin se po përdor punët e brendshme të Brazilit si pretekst për sanksione dhe theksoi se SHBA-të “kanë ndihmuar tashmë në organizimin e një grushti shteti” në vend.



