
Do të dhuroni gjak? Do të pini birrë falas në Belgjikë. Kryqi i Kuq lokal, në bashkëpunim me markën e birrës “Tout Bien” në pronësi të influencuesit Average Rob, synon të rrisë ndërgjegjësimin tek të rinjtë e moshës 18 deri në 25 vjeç në lidhje me dhurimin e gjakut.
“Të rinjtë që dhurojnë gjak midis gushtit dhe shtatorit në Flandër do të marrin dy kanoçe birrë, një alkoolike dhe një joalkoolike”, njoftoi organizata vullnetare.
Megjithatë, kjo ka shkaktuar polemika nga Qendra Flamane e Ekspertizës për Alkoolin dhe drogat e tjera, e cila pretendon se, edhe pse një nga dy kanoçet falas është joalkoolike, ata po përpiqen të përcjellin idenë se alkooli nuk është i dëmshëm.
Drejtoresha e qendrës, Katleen Peleman, e quan “absurde” që një organizatë si Kryqi i Kuq, e cila punon për shëndetin dhe është një autoritet në këtë fushë, të promovojë një pije alkoolike”. Prandaj, ata do të kërkojnë që fushata të tërhiqet.



