
“Edhe muret kanë veshë” kështu është quajtur një prej nismave të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e nisur një vit më parë, në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”. Nisur më 20 shkurt 2018, në sajë kësaj nisme u mblodhën dëshmi të vyera gojore, u sollën zërat dhe fytyrat e viktimave e të përndjekurve politikë. Dëshmitë, pjesë e arkivit digjital të institucionit ruhen në këtë institucion krahas arkivit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në një kohë që vijon procesi i shumëdebatuar i hapjes së dojseve debati i hapjes së tyre në mënyrën dhe kohën e duhur, vendosja e një drejtësie dhe paqeje të vonuar janë jo rrallë herë temë diskutimi në realitetin shqiptar. A duhen çelur këto dosje dhe në ç’mënyrë ruhen dhe duhet punuar me to?! Çfarë dëshmish ato mbartin në vetvete dhe si mund t’i shërbejnë ato së ardhmes të vendit?!
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kohët e fundit ka deklasifikuar së fundi rreth 600 mijë dokumente dhe 48 mijë dosje që i përkasin kësaj periudhe, ndërsa Akademia e Studimeve Albanologjike dhe studiuesit e historisë së këtij institucioni janë disa nga aktorët e përfshirë në këtë proces, të cilët janë pro hapjes së këtyre dosjeve dhe arkivave të periudhës së komunizmit. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta, bën me dije se në planet e Institutit është edhe hartimi i një historie të Sigurimit të Shtetit.
PIKËPYETJET E HAPJES SË DOSJEVE
Edhe për Jonila Godolen, Drejtuese e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë- IDMC, procesi i hapjes së dosjeve në Shqipëri është shumë i rëndësishëm, pavarësisht se i vonuar.
Zhdukja përgjatë tre dekadave e dokumenteve të ndryshëm në arkiva, që lidhen me periudhën e diktaturës dhe personave të përfshirë në dënime dhe krime të ndryshme të atyre viteve për shumëkënd mund të ngrerë pikëpyetje për të gjithë procesin. Megjithatë, ende mungojnë studimet shkencore lidhur me këtë gjë.
Drejtuesja e IDMC, Godole vëren se megjithëse mund të jenë zhdukur një pjesë e dosjeve dhe historisë, gjurmët mbeten aty. Ndaj ajo vëren që dosjet duhet jo vetëm të hapen, siç thotë dhe ligji për personat që kanë vuajtur vetë persekutimin dhe janë përndjekur nga regjimi, por duhet edhe të kishte përpjekje maksimale, për të ndihmuar edhe kërkuesit shkencorë dhe të gjithë të interesuarit për t’i kërkuar dosjet dhe për t’i analizuar dhe krijuar një panoramë më të plotë se çfarë ka bërë sigurimi dhe deri ku është futur ai.
Godole flet për amendimin e mundshëm të ligjit në një moment të dytë, pasi sipas saj me ligjin aktual ndonjëherë duket se mbrohen më tepër persekutorët se sa vetë të persekutuarit.
Ajo nuk flet për hakmarrje dhe dënim të bashkëpunëtorëve, sidomos të sigurimit për të cilët flitet rëndom, por është e bindur se transparenca e përgjegjësive duhet të jetë 100 përqind. Sipas Godoles, regjimi komunist në Shqipëri ka pasur disa specifika të vetat dhe përbën një rast të veçantë mes të gjithë vendeve komuniste dhe si shembull ajo përmend kampin e Tepelenës.
KAMPI I TEPELENËS DHE DOKUMENTET HISTORIKE
Rasti i kampit të Tepelenës ka pasur një debat publik, ku sipas Godoles kanë dalë edhe shifra, por sipas saj, natyrisht një regjim represiv diktatorial nuk mund të ruajë foto dhe dokumente, pasi do të ishin prova për krimet që ai ka shkaktuar, ndaj sipas Godoles është shumë e kuptueshme që këto dokumente nuk ekzistojnë.
Por si ka funksionuar në të vërtetë kampi i Tepelenës dhe a mund të quhet vërtet ky kamp një Aushvitz shqiptar, ashtu si në disa raste është cilësuar?! Për historianin Beqir Meta është e nevojshme që të kemi studime më të thelluara në këtë drejtim, për të studiuar kampet në komunizëm dhe jo vetëm.
Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole nga ana e saj shprehet e bindur se kampi i Tepelenës mund të cilësohet si një kamp me sistematikë zhdukjeje.
Edhe Meta nuk heziton që ta krahasojë këtë kamp me një kamp përqendrimi.
Ai megjithatë thotë se nuk mund të shprehet shumë për momentin, pasi për këtë kamp po studiohet akoma.
NJË MUZE MEMORIAL
Por si është konceptuar të ndërtohet ky muze në kampin e Tepelenës dhe si është gjendja aktuale në këtë kamp?!
Pjesë e kampit-muze tashmë janë edhe disa qiparisa, të cilët janë mbjellë në përkujtim të fëmijëve që kanë humbur jetën në kamp gjatë viteve 1949-1954.
Për Simon Mirakajn, i cili ka jetuar në kampin e Tepelenës gjatë viteve të para të jetës së tij deri në moshën 9 vjeçare, jeta në të ka qenë vërtet mjaft e rëndë.
VERIU, MË I PERSEKUTUAR?!
Një tjetër çështje që ia vlen të shtrohet për diskutim është nëse sistemi diktatorial i kohës kishte apo jo një qasje anti-veriore, gjë që për dikë vërehet sidomos në kampin e Tepelenës.
Sipas Godoles nuk ka patur asnjë vend në Shqipëri ku mund të mos ketë patur burgje dhe kampe internimi, ku në mënyrë djallëzore personat katolikë nga Veriu çoheshin në Jug por pse jo dhe anasjelltas, në një zonë ku nuk ndanin të njëjtat zakone kulturore dhe e kishin më të lehtë të qëndronin të ashpër.
Një sistematkë për të zhdukur në mënyrë afatgjatë inteligjencën religjioze të besimit të klerit katolik dhe mysliman dhe për të krijuar të ashtuquajturin njeri i ri.
NJOHJA E HISTORISË
Megjithatë, një anketë e zhvilluar disa kohë më parë në lidhje me qëndrimin e shoqërisë shqiptare ndaj të shkuarës komuniste solli një rezultat shokues: shumica e shqiptarëve ndjenin nostalgji për regjimin totalitar që sundoi mbi ta për 47 vjet. Ndaj edhe puna në këtë drejtim duhet të vijojë. Kjo është një ndër arsyet pse Jonila Godole përmes punës me IDMC vë theksin në rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë për diktaturën.
Ndërsa Simon Mirakaj vë theksin edhe në mësimin nëpër shkolla dhe njohjen e të rinjve me këtë pjesë të historisë në forma të ndryshme.
Vitet 1949-1953 ishin padyshim vitet më të vështira për regjimin komunist në Shqipëri, ndërkohë që pasojat që solli ky regjim në jetën e njerëzve tashmë dihet se çfarë pasojash patën. Ndërsa humbja e jetëve njerëzore veçanërisht e fëmijëve është ajo që e bën kampin e Tepelenës një vend të veçantë kujtimi dhe reflektimi. Mbi numrin e fëmijëve që humbën jetën në Tepelenë ka dëshmi të shumta, të cilat jo gjithmonë konvergojnë. Vëmendja e studiuesve duhet të përqendrohet në përcaktimin e saktë të numrit të tyre dhe në një hulumtim më të saktë e të thelluar, qoftë në burimet dokumentare, të cilat janë shfrytëzuar pjesërisht, ashtu dhe në kryqëzimin e dëshmive të të mbijetuarve të kampit të Tepelenës.



