Është klasifikuar si sektori me rritjen më të madhe ekonomike, por nga ana tjetër kompanitë e ndërtimit kanë bërë thuajse zero referime për pastrim parash pranë Inteligjencës financiare. Emisioni “FactCheck” zbardh raportin ku pas ndërtimit me referime inekzistente renditen sallonet e automjeteve të reja apo përdorura si dhe mjaft njësi shërbimi me qarkullim parash.

E teksa Prokuroria e Posaçme listonte se Pastrimi i Parave është një fenomen shqetësues i cili bëhet duke investuar në pasuri të paluajtshme si prona, apartamente, vila, truall, pemëtore, etj. Agjencia e Inteligjencës Financiare fakton këtë konstatim pasi në raportin e saj të vitit 2023 deklaron se nga shoqëritë e ndërtimit apo kompanitë e ndërtimit në të gjithë Shqipërinë ka patur vetëm një rast të referuar për verifikim të origjinës së parave.
Emisioni “FachtCheck” sjell një lexim të raportit të AIF, ku thuhet se “Gjatë vitit 2023, në AIF janë dërguar 1,728 RAD nga subjektet raportuese”. E pikërisht referuar këtij raporti përgjatë vitit 2023 shoqëritë e ndërtimit kanë bërë vetëm një referim edhe pse kanë detyrim ligjorë të deklarojnë çdo kontratë nga persona pa të ardhura të ligjshme ose jashtë sistemit bankar. E teksa shifra mbetet e papërfillshme kur ndërtimit dhe çmimet e pronave kanë njohur një ‘boom’, ajo që zbulon ky raport është se përgjatë 2022 s’ka patur asnjë referim dhe në 2021-2020 nga 2 referime.
Ndërsa i vetmi vit që ka numrin më të lartë është vitit 2019. Bankat dhe Agjencitë e Transfertave të parave kanë rritur numrin e tyre të referime tek Inteligjenca Financiare, njohur ndryshe si agjencia e pastrimit të parave. Krahasuar me një vit më parë zyrat noteriale në të gjithë vendin kanë ulur numrin e referimeve, ndërsa asnjë transaksion në shit-blerjen e pronave nuk mund të kryhet jashtë noterit dhe kalimit të parave në llogarinë e tyre.
Avokatët rezultojnë se kanë vetëm një referim në vitin 2020 dhe përgjatë vitit 2023 asnjë referim tek inteligjenca financiare. Një numër të ulët referimesh konstaton Inteligjenca Financiare edhe tek kompanitë e tregtimit të automjeteve, të cilat në hetimet e SPAK klasifikohen si kryesore për pastrimin e parave nëpërmjet makinave të luksit. Përgjatë 2023 kompanitë e tregtimit të automjeteve përfshi ato me zero kilometra apo të përdorura kanë referuar pran AIF vetëm 3 raste.
Agjencitë Imobiliare të cilat kohët e fundit janë në top listë të aktiviteteve tregtare me një shtim të pikave të tyre dhe blerjes apo shitjes së pronave edhe pse kanë detyrimin ligjorë dhe përfitojnë % të konsiderueshme referuan vetëm 1 rast në mijëra transaksione të kryera përgjatë 365 ditëve.



