
Prokuroria e Posaçme shtyn me tre muaj hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Afati i fundit i SPAK për të kopsitur dosjen “Ahmetaj” është caktuar në datë 22 dhjetor te këtij viti, ku me pas organi i akuzës pritet të zbresë hetimet në Gjykatën e Posaçme për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Ndaj ish-zëvëndëskryeministrit, njëherësh ish ministër i financave, SPAK ka ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, organi i akuzës lëshoi urdhër arrest për Arben Ahmetaj dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në mars të 2024 i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor. Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live bën me dije:
“Disa akt-ekspertime janë arsyeja pse Prokuroria ka trokitur në gjykatë për një afat tjetër tre muaj. Ahmetaj është në pritje të statusit azilant politik nga shteti zviceran. Brenda dhjetor 2024 do duhet që SPAK të depozitojë në gjykatë kërkesën për gjykim”.



