
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edvin Kulluri, është i mendimit se në selinë blu nuk bëhet fjalë për bashkim, por për një proces mekanik.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se nëse bashkohen dy palë që ishin bashkë, u thyen dhe bashkohen pa dhënë arsyet se pse u ndanë, nuk ka bashkim.
Ai sqaroi se kur flet për bashkim, flet për një proces politik dhe se duhet të shmanget një faull politik.
Kriza politike e PD fillon në vitin 2017. Me gjithë përpjekjet e bëra me kolegët këtu nuk dëgjonte njeri, por elektorati dëgjonte. Një pjesë e bazës reagoi, duke mos votuar.
Që nga viti 2013, PD-së i mungojnë 130 mijë vota. Janë të njëjtët aktorë dhe personazhe në nivel lidershipi, por duhet të ndryshojë mënyra si funksionon partia. Kalojmë në primare falso.
Nuk pati primare as për zotin Berisha, nuk do ketë as tani për kandidatët për bashkitë. Partia nuk ka një projekt politik. I vetmi njeri i qartë në PD është Sali Berisha, ka një projekt personal.
Zoti Berisha ka një axhendë personale politike me një kurs përplasje me SHBA, Anglinë dhe komunitetin ndërkombëtar.
Nuk e di se ç’parti konservatore drejton Berisha? U bënë të gjithë konservator. Kjo tregon gjendjen e rëndë të PD, mungesën e një projekti politik.
Ata që janë aty, janë vetëm se i thonë po zotit Berisha. Grupi që nuk i bashkohet zoti Berisha, nuk kanë një projekt politik, janë 27 deputetë, ose duhet të kishin bërë një parti, ose do bashkohen.
Të dyja palët në vend duhet të bashkohen për ti dhënë një projekt, por bashkohen palët për të shpëtuar Salianjin.
Bashkohen pa teklif për njeri tjetrin, për kolegun, por jo për të mirën e PD. Këtu kemi prova pafund se këtu nuk ka bashkim.
Mënyra si do bashkohen dhe pse do bashkohen, nuk i kam të qarta.
Për Kullurin, çdo politikan ka ciklin e tij dhe nuk mund të vijë Sali Berisha pas 32 vitesh me gjithë traumat që ka ndodhur në Partinë Demokratike dhe të thotë “unë jam ndryshimi”.
Në vijim deklaroi se PD nuk është parti e majtë dhe nuk mund të thotë se nuk ka histori.
Lidhur me zgjedhjet vendore, Kulluri shtoi se kandidaturat e dala deri tani kanë mbështetje shumë të ulët, me përjashtim të Ilir Alimehmetit.
Janë gati të japin mbështetje për një njeri pa asnjë ditë kontribut politik dhe kjo tregon dëshpërimin e madh të PD.
Duke komentuar një sondazh të fundit, ai tha se Edi Rama dhe Sali Berisha kanë humbur nga 10 pikë, ndërsa në nivel votash deklaroi se ka më shumë vota se kanë solidaritet, ndërsa për PD, deklaroi se kanë bashkim vullnetar votash.
Sipas tij “Rama ik!” është parullë dhe jo projekt politik.



