
Protestat masive në Serbi, që fillimisht u nxitën nga studentët dhe më pas u shtrinë në të gjithë shtetin, po shërbejnë si një sfidë e madhe për pushtetin e Aleksandar Vuçiçit, që ka udhëhequr vendin për mbi një dekadë.
Pas shpërthimit të protestave, Vuçiç u detyrua të "sakrifikonte" kryeministrin e tij në një përpjekje për të qetësuar situatën dhe për të shmangur një krizë të thellë.
Drejtori i Institutit për Marrëdhënie Ndëretnike, Fatmir Sheholli, duke folur për “MCN live”, ka theksuar se masivizimi i protestave, që filluan me studentët dhe më pas përfshinë edhe intelektualë të ndryshëm, tregon se ky është vetëm fillimi i fundi për pushtetin e Vuçiçit.
E kemi paralajmëruar që në nëntor kur filluan protesta e studentëve në Beograd dhe tash kjo është shtrirë në tërë Serbinë, atëherë e pohuam se në bazë të informatave që kishin koordinatorët e Institutit tonë në bashkëbisedim me ta, që ata nuk do të ndalen në kërkesat e tyre.
Në fillim kërkesat kishin të bënin vetëm më 15 të vdekur në Novi Sad nga tenda e rrënuar, por me kalimin e kohës kërkesat janë bërë më të fuqishme dhe njëkohësisht masivizimi më i madh duke parë që kjo qeverisje e Vuçiç tash e 14 vite po i vjen fundit dhe ne që po marrin informacione nga zyra jonë në Beograd, jemi të bindur se ku është vetëm fillimi i rrënimit të ‘kokës’ së Vuçiç.
Sepse protestuesit, nuk janë vetëm studentë, janë aktor, avokat të fuqishëm intelektual të ndryshme dhe natyrisht opozita dhe kësaj radhe e kanë treguar në formën më bindëse se nuk mund te kaloj një sjellje shume arrogante e pushtetit ndaj tyre.
Për Shehollin, është e pashmangshme që pas një pushteti 13-vjeçar të vijnë ndryshime, pasi qytetarët dhe studentët e Serbisë janë të lodhur nga korrupsioni dhe politikat e dyshimta të Vuçiçit, të cilat kanë ndikuar negativisht edhe në marrëdhëniet rajonale dhe ndërkombëtare.
Sheholli beson se kjo është një përgjigje ndaj arrogancës së pushtetit dhe politikave të tij të brendshme dhe ndërkombëtare, duke përmendur veçanërisht politikat e tij ndaj Kosovës, Kroacisë dhe, në mënyrë të veçantë, vendimin për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Është e pashmangshme që një pushtet 13 vjeçar të konsumohet. Pushteti i Vuçiç ka bërë edhe dëme të mëdha edhe sa i takon çështjeve rajonale ka marrëdhënie të kësaj me Kroacinë, marrëdhëniet me Kosovën janë pothuajse armiqësore.
Ai poashtu nuk i vendosi kurrë sanksionet Rusisë, gjithashtu luante një lojë të dyfishtë, dhe ky fakt, te faktori ndërkombëtar merret shumë parasysh. Jam i bindur se mossanskionimi i Rusisë e ka sjelle në një situatë të tillë që populli liridashës, i mirë dhe studentë që e duan Evropën, botën e civilizuar duan t’i pohojnë këtij regjimi që ky është fundi i tij.
Ky masivizim i hatashëm i studentëve dhe të tjerëve në këto protesta, natyrisht se e ka një mbështetje diku, por këto mbështetje vijnë nganjëherë edhe prej faktorëve të cilat bëhen boll në një pushtet i cili nuk ka më çka të jap. Unë besoj se shtetet demokratike që kanë parë që Vucic po luan me dy karta, edhe me Putin dhe duke thithur fonde evropiane t’ia trazojnë këtë shtratin e pushtetit.
Pavarësisht se si do të zhvillohen zgjedhjet apo nëse do të formohet një qeveri e re, Sheholli beson se protesta është një thirrje për një ndryshim radikal dhe kërkon “kokën politike” të Vuçiçit.
Pavarësisht vendimit te tij a do të jetë një qeveri e re apo se a do shkohet në zgjedhje, studentë, opozita, pavarësisht rezultateve që mund të thotë se sa ka fituar, këtu është fillimi i fundit te pushtetit te Vuçiç.
Studentët nuk e kanë kërkuar kokën politike të Vuçeviç por të vet Vuçiç dhe derisa të ndodh kjo do të kemi çështje të tilla.



