Penkova dhe Vezhdanishti po vdesin në heshtje. Dy fshatra të Selenicës, dikur me qindra banorë, sot po zbrazen nga mungesa e një rruge dhe e ujit të pijshëm. Në vetëm 4 kilometra rrugë nuk ka asnjë metër asfalt.
Përkundrazi, në sipërfaqe ka dalë kalldrëmi i shtruar nga italianët në vitin 1914, një dëshmi e dhimbshme se koha ka ecur përpara, ndërsa kjo rrugë ka mbetur pas.
Nga 150 shtëpi që kishte Vezhdanishti, sot kanë mbetur vetëm pak familje. Banorët tregojnë se makinat u shkatërrohen nga rruga, paguajnë qindra mijëra lekë për riparime, ndërsa për të mbushur ujë detyrohen të bëjnë disa udhëtime çdo ditë.
Por drama nuk mbaron këtu. Gjatë xhirimit të emisiinit FOL, një banor me epilepsi rrëzohet në tokë nga një krizë e fortë. Qendra shëndetësore ndodhet vetëm pak metra larg, por është e mbyllur. Infermieri nuk mund të vijë, sepse rruga është e pakalueshme. Bashkëshortja e tij thotë se kjo ndodh pothuajse çdo ditë dhe se familja jeton me frikën se një ditë ai mund të mos ngrihet më.
Banorët kujtojnë se dikur zona kishte shkollë, çerdhe, kopësht, vatër kulture, ambulancë dhe madje edhe spital. Sot kanë mbetur vetëm ndërtesat e braktisura dhe një popullsi që ndihet e harruar.
FOL rikthehet në Vezhdanisht dhe Penkovë për të mbajtur premtimin ndaj banorëve: nuk do të ndalemi derisa kjo rrugë të bëhet dhe këto familje të mos trajtohen më si qytetarë të dorës së dytë.
Sepse askush nuk duhet të rrezikojë jetën vetëm për të shkuar në spital, për të çuar fëmijën në shkollë apo për të siguruar një bidon ujë.



