Një tjetër mjek në vendin tonë ka ndërruar jetë, si pasojë e virusit Covid-19. Neuropsikiatri, prof. dr. Hiqmet Shqerra mësohet se ishte i shtruar në spitalin “COVID 3”, por nuk ka mundur të fitojë betejën me koronavirusin duke u ndarë nga jeta pak pas mesnate, në moshën 82-vjeçare.
Doktor Shqerra lindi në Elbasan në një familje autoktone dhe me tradita. Ai studioi në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta dhe më pas mori titujt akademikë.
Gjatë eksperiencës së tij 56-vjeçare si mjek neuropsikiatër, doktor Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor. Për 20 vite drejtoi Spitalin Psikiatrik të Elbasanit ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale dhe komunikimin e jashtëzakonshëm human me pacientët, familjarët dhe të gjithë komunitetin.



