Një ngjarje është denoncuar së fundmi nga një qytetare në redaksinë e JOQ Albania, ku pretendohet se pranë ambienteve të Prado Luxury Hotel në Himarë, është ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje që po përpiqej të mbronte pronën e saj.
Sipas denoncueses, e cila ndodhej në zonë si turiste dhe ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes, konflikti ka nisur pas një tentative për të uzurpuar tokën e gruas, ndërsa në vendngjarje është regjistruar një përshkallëzim i menjëhershëm i situatës, që ka degjeneruar në dhunë fizike. Videoja e dërguar nga qytetarja e cila ka filmuar momentet në fjalë, tregon se edhe një tjetër grua ndodhej në afërsi dhe u vu në rrezik.
“Dhuna ndaj një gruaje për të marrë tokën e saj është e papranueshme. Vajzat ishin realisht në rrezik. Kjo është një çmenduri që nuk duhet të ndodhë në një vend turistik si Himara”, shprehet denoncuesja, ndërsa kërkon që autoritetet të ndërhyjnë menjëherë.
Ngjarja thuhet të ketë ndodhur në afërsi të një hoteli luksoz në ndërtim, dhe sipas dëshmisë së qytetares, persona të lidhur me investitorët e zonës janë përfshirë në aktin e dhunës, me qëllim përvetësimin e pronës.



