Pas shqetësimit të ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili, dhe ministres së Integrimit, Klajda Gjosha, se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka shkelur Kushtetutën shqiptare, ka reaguar edhe Komisioni Evropian. Në faqen e tyre zyrtare shkruhej se Komisioni Europian po përgatit një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë çështje.
Sipas reagimit në faqen zyrtare të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Operacioni Ndërkombëtar në Tiranë filloi punën në kohën e duhur, pas ftesës së marrë nga qeveria shqiptare duke e kryer detyrën sipas kornizës ligjore që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë.
Një ekip vëzhguesish përfundoi monitorimin e aplikimeve për trupat e vetingut pranë Avokatit të Popullit dhe çdo informacion i Operacionit është bërë publik që nga koha e nisjes së punës monitoruese të këtij organi. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka nga sot 14 ditë afat për të përpiluar një listë me kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret e integritetit moral për të qenë pjesë e trupave të vetingut.
