Një automjet në Fushë-Bulqizë ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit. Mësohet se automjeti është në pronësi të administratorit të një galerie kromi në Fushë Bulqizë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Fushë-Bulqizë, në afërsi të banesës së shtetasit F.D, rreth 54 vjeç, (administrator i një galerie kromi). Sipas policisë, automjetit tip “Audi Q7” i është vendosur lëndë plasëse në pjesën e pasme.
Nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht automjeti, por nuk ka të lënduar në njerëz. Priten të mbërrijnë në vendin e ngjarjes ekspertët xhenier nga Tirana për të përcaktuar llojin e lëndës shpërthyese. Grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.



