
Sjellja e punëtorëve të huaj për projektin e rindërtimit ka pas lobimin e bizneseve që duan të mbajnë të ulët nivelin e rrogave dhe të ulin kostot. Në një bisedë në studion e lajmeve të TvT, gazetari Klodian Tomorri tha se ajo që po kërkohet në rastin e rindërtimit janë skllevër dhe jo punëtorë. Tomorri u shpreh se në kushtet e Shqipërisë, ku papunësia qëndron në nivelin 11%, është absurde të flasësh për krahë pune që vijnë nga jashtë. Por sipas tij, biznese të caktuara janë të interesuara të mbajnë nivel të ulët pagash.
“Kjo historia e Shqipërisë që nuk ka punëtorë është një mit i hedhur nga disa biznese apo biznesmenë të mëdhenj. Mund ta kuptoj që një vend ka mungesë kur papunësia është 3%. Por ne e kemi 11%. Është paradoks të thuash që na duhen punëtorë. Ajo që kërkohet nuk janë punëtorë, janë skllevër. Nuk ka punëtorë kur rroga është 200 mijë lekë. Ndoshta tani duket se i kanë gjetur nga jashtë sepse ata mund të pranojnë këtë nivel rrogash. Janë kërkesat e biznesve që janë të interesuar të mbajnë këtë nivel rrogash dhe të mos rrisin kostot. Ka kompani që e kanë fitimin vjetor më të madh se fondi i pagave që jep për punëtorët. Këtu qartazi kemi një problem. Synohet dhe tentohet të mbahet ky nivel rrogash i ulët dhe për këtë vijnë punëtorë që pranojnë këtë nivel rrogash. Ne nuk jemi Gjermania që e ka papunësinë në 3%”, tha ai.
Tomorri u ndal edhe në projekt-aktin e qeverisë që synon të rikthejë dyqanet pa taksa ose zonat duty free në të gjitha pikat doganore. Sipas tij, kjo nuk i sjell fitim shtetit, por krijon gropa në buxhet. Tomorri e argumenton këtë me mundësinë që u lihet këtyre bizneseve për të tregtuar karburant pa taksa.
“Kjo nuk i sjell fitim shtetit. Është një privatizim i buxhetit. Krijohet një mekanizëm në ligj për dyqane pa taksa. Ajo që është më shqetësuese është se në projektligj është lënë mundësia që këto biznese të kenë të drejta të shesin karburant pa taksa. Ne i kemi pasur 17 vjet më parë dhe u shndërruan në qendra të kontrabandës së cigareve, sa BE u detyrua t’i bënte presion qeverisë që t’i mbyllte. Është qartazi një projekt që ka interes të fortë për grupe të caktuara. Do hasë presion të fortë te ndërkombëtarët dhe do të detyrohet t’i mbyllë. Vetëm nga karburanti janë 700 milionë euro taksa. Nëse hap në 17 pika doganore tokësore oaze ku shitet karburant pa taksa, të gjitha qytetet kufitare do të marrin aty. Ne e kemi një buxhet të drobitur, imagjinoni të hapen edhe këto gropa se çfarë do t’i ndodhë buxhetit të shtetit”, tha ai.
Në lidhje me protestën e fermrëve për ndryshimin e skemës së subvencioneve, Tomorri tha se mungesa e besimit te qeveria i ka bërë ata t’u kërkojnë ndihmë ndërkombëtarëve. Sipas tij, skema e ndryshuar ka për qëllim të shtojë procedurat dhe qeveria të japë më pak para për fermerët.
“Skema e mëparshme ishte 10 lekë për cdo litër të shitur qumështi. Vitin e kaluar qeveria ka dhënë rreth 4 milionë dollarë. Tani kërkohet ndryshimi nga subvencionim për litër në subvencionim për krerë bagëtish. Është një marifet për ta ngushtuar edhe më shumë skemën që praktikisht është e papërfillshme. Ka skema të ndryshme për subvencionimin e fermerëve, ka skema që bazohen në prodhim, ka edhe të tjera që bazohen në atë që ti shet. Ndryshimi këtu bëhet për të shtuar procedurat burokratike dhe për të mos dhënë para. Ne kemi folur për akte nënligjore, ligje që ndryshojnë shpesh pa konsultim me grupet e interesit. Kur qeveria nuk konsultohet me to, imagjino si mund të konsultohet me disa fermerë që as nuk i ka në llogari. Miratohet ligji dhe u thuhet ja ku e keni. Qeveria po ndryshon skemën për t’u dhënë më pak para. Ndoshta nuk kanë kohë ministritë apo qeveria për t’u marrë me fermerët”, tha ai.



