Menaxhimi i mbetjeve urbane vijon të mbetet një nga problematikat më të mprehta mjedisore në vend, duke kërkuar vëmendje të shtuar si nga pushteti lokal dhe ai qendror, ashtu edhe nga opinioni publik.
Djegia e landfillëve, ndotja e lumenjve dhe liqeneve, si dhe mungesa e një sistemi funksional riciklimi janë raportuar shpeshherë në media, duke ngritur alarmin për pasojat në mjedis dhe shëndetin e qytetarëve.
I ftuar në studion e ‘MCN Informacion’, sipërmarrësi i industrisë së riciklimit, Bardhyl Balteza, theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në botë që ndalon importin e mbetjeve për riciklim, një vendim që sipas tij ka penalizuar rëndë industrinë vendase.
Jemi i vetmi vend në botë që ndalon importin e mbetjeve për riciklim. Bota i ka dhënë shumë rëndësi riciklimit dhe e ka kthyer atë në prioritet. Ne kemi bërë tre herë projekte për menaxhimin e mbetjeve, por ato nuk u realizuan.
Ai solli në vëmendje edhe një projekt pilot të realizuar me mbështetjen e GIZ në qytetin e Lezhës, ku u ndërtua një sistem grumbullimi të diferencuar sipas llojit të mbetjeve.
Në Lezhë ndërtuam impiante grumbullimi sipas ndarjes së mbetjeve. Vendosëm kosha për qelqin, plastikën, letrën. Ne ricikluesit ndërtuam linjën e selektimit, por materiali nuk vinte, sepse mjetet e pastrimit i çonin mbetjet direkt në landfill. U përpoqëm, por projekti nuk vazhdoi. Problemi është mungesa e organizimit dhe e një plani të qartë veprimi.
Sipas Baltezës, riciklimi i mbetjeve organike do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për vendin, përfshirë prodhimin e gazit natyror dhe plehrave organike për bujqësinë.
Me riciklimin e mbetjeve organike mund të prodhohet gaz natyror dhe produkte cilësore për bujqësinë. Në Europë metalet dhe materiale të tjera nuk quhen më mbetje, por lëndë të para dytësore. Industria e riciklimit në shumë vende subvencionohet nga shteti. Ne nuk kërkojmë subvencione, por duam mundësi për të prodhuar gaz natyror dhe për të funksionuar në kushte të barabarta.
Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit, Lulzim Bauman, u ndal te problematika e fokusit të politikave publike, duke theksuar se vëmendja është përqendruar më shumë te inceneratorët sesa te ndërtimi i infrastrukturës bazë për ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve.
Strategji kemi pafund, ligje po ashtu, madje edhe ligji i ri i miratuar vitin e kaluar, por problemi mbetet te implementimi, që është përgjegjësi e bashkive. Mendoj se problemi nuk është ekonomik, por mungesa e vullnetit ose konflikti i interesit.
Ai shtoi se ricikluesit në Shqipëri përballen me mungesë sasie dhe cilësie të materialeve, si dhe me mungesë subvencionesh, çka e bën të vështirë konkurrencën me tregun europian.
Ricikluesit vuajnë ose nga mungesa e materialit, ose nga fakti që ai vjen i ndotur. Subvencionet nuk ekzistojnë dhe kjo e bën të vështirë konkurrencën. Ndërkohë, mbetjet që përfundojnë në landfill do të qëndrojnë aty për vite, duke shkaktuar dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Një pjesë e tyre hidhen në lumenj, duke krijuar pasoja serioze.
Sipas Baumanit, përtej debatit ekonomik, prioritet duhet të jetë shëndeti publik dhe mbrojtja e mjedisit, duke kërkuar më shumë presion ligjor ndaj bashkive për ndërtimin e infrastrukturës së duhur dhe zbatimin real të strategjive ekzistuese.



