Bumi i ndërtimeve, Tomorri: Nuk e justifikojnë vetëm kreditë, një pjesë janë para të pista

Bumi i ndërtimeve, Tomorri: Nuk e justifikojnë vetëm kreditë, një pjesë janë para të pista

Kreditë e këqija kanë prekur nivelet më të ulëta historike të dekadës së fundit. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, kjo rënie ka shkuar përkundër pritshmërive dhe mund të konsiderohet një zhvillim pozitiv për ekonominë. Në studion e lajmeve të MCN TV, Tomorri e shpjegoi këtë rënie me kreditimin e ekonomisë në total, që ka lehtësuar peshën e kredive me probleme.  

Kjo është një nga zhvillimet që shkojnë në kahun pozitiv. Pritshmëritë ishin që nga tremujori i dytë të rriteshin lehtë kreditë e këqija. Ka ndodhur e kundërta dhe faktori kryesor është rritja e kreditimit për ekonominë. Kur kredia totale rritet, edhe pesha e kredive me probleme ulet. Nëse flasim për uljen e madhe krahasuar me vitet e krizës financiare, kur kreditë e këqija arritën në 25%, atëherë shkaku kryesor janë arsyet kontabël, pasi pas vitit 2011, BSH miratoi mosraportimin e kredive të këqija në bilance. Pra kredia e keqe ekziston, por nuk raportohet.

Megjithatë, sipas Tomorrit, kredia nuk justifikon bumin e sektorit të ndërtimit në Shqipëri e në mënyrë të veçantë në kryeqytet. Ai tha se një pjesë e parave që shkojnë drejt këtij sektori vijnë nga burime të paligjshme.

Në fund të qershorit të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia është rritur me 5.5%. Nëse pyesim a e ushqen kreditimi bumin e sektorit të ndërtimit? Kredia ushqen kërkesën për ndërtim, por në Shqipëri përmasat e kredisë hipotekore nuk janë të tilla që të justifikojnë një bum të tillë ndërtimi. Në kryeqytet sektori i ndërtimit ka një bum që vazhdon prej 3 apo 4 vitesh. Unë mendoj që kredia është vetëm njëri nga faktorët që shpjegon bumin e ndërtimit në Shqipëri. Një pjesë e blerjes së banesave mund të financohet përmes depozitave, ndërsa një pjesë tjetër ka dyshime që financohen me burime të paligjshme.

Paratë që vijnë nga burime të paligjshme, sipas Tomorrit, në vende si Shqipëria nuk është e vështirë të futen në sistemin bankar.

Bankat kanë një mekanizëm të tërë kontrolli dhe masash për të parandaluar depërtimin e parave të paligjshme në sistem. Ne kemi parë para disa muajsh skandale ku banka ndër më model në vende si Danimarka janë përfshirë në skandale të pastrimit të parave me miliarda euro. Rreziku që paratë e pista të depërtojnë në sistem është gjithmonë i lartë. Në vende si Shqipëria, që mekanizmat nuk i kanë aq të forta për ta luftuar këtë fenomen, është akoma edhe më i madh.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy