Sekuestrohen në Tiranë 450 kilogramë mish pule, të cilat u gjetën në mungesë të kushteve higjieno-sanitare në një magazinë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara se në një magazinë, në rrugën “Myslym Keta”, një shtetas përpunonte dhe tregtonte mish, pa u regjistruar në organet kompetente, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e magazinës.
Nga kontrolli i ushtruar dhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi B. H., banues në Tiranë, përpunonte dhe tregtonte mish, në magazinën e tij, në rrugën “Myslym Keta”, jashtë të gjitha kushteve higjieno-sanitare.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 52 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 450 kg mish pule. Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



