
Gjykata Administrative i kthen padinë kryebashkiakut Erion Veliaj, për prokurorin Ols Dado, nën argumentin se është me të meta dhe se mund të ridërgohet nga e para.
Seanca e radhës u caktua për në 8 maj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit sot në Gjykatën Administrative, duke lënë qelinë për të marrë pjesë në seancën ku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të prokurorit Ols Dado.
Dado, i cili është gjithashtu një nga prokurorët e çështjes së Veliajt në SPAK, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës. Ndërkohë, Veliaj u shfaq për herë të parë në publik që pas seancës në Gjykatën Kushtetuese më 31 tetor 2025.
Gjatë seancës, Veliaj hodhi akuza të forta ndaj procesit dhe mënyrës së nisjes së hetimeve .
Nuk jam këtu për mëshirë, por për të treguar çfarë i është bërë Bashkisë së Tiranës. Kam 14 muaj që lexoj letra dhe shoh që njerëz që s’kanë mbaruar Magjistraturën arrestojnë njerëz. Nuk jam denoncuar nga një person real, por nga një emër që nuk ekziston. Kam frikë se është një kurth ky proces i imi. Në rastin tim ka një kallëzim ‘fake’. Ka diçka që nuk shkon dhe duket si një porosi.
Cili është dëmi që i kam shkaktuar Tiranës? S’e kam mbjellë pemë? S’e kam ndërtuar 50 shkolla e çerdhe. Me Ols Dadon jam në konflikt interesi, pasi ai me telefonin e prokurorisë ka kërkuar leje ndërtimi. Dado vinte shpesh në Bashki për të kërkuar jo vetëm leje për veten.
Vënia e njerëzve në detyra kur nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm tek unë, por tek bashkia e Tiranës, ka sjellë pasoja të rënda. Sot nuk firmos më tek bashkia e Tiranës, që kanë të bëjnë me këtë njeriun. Sot plehrat janë sheshit. Ditën që jam arrestuar kam inauguruar një kopsht në Kashar, janë 14 muaj s’është hapur një kopsht.
Padia e Veliajt drejtohet kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe vetë prokurorit Dado, duke kërkuar pavlefshmëri absolute të dekretit të vitit 2008 të firmosur nga ish-presidenti Bamir Topi. Sipas kërkesë-padisë, emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi në momentin e dekretimit Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës.
Në dokument theksohet se të gjitha veprimet penale ndaj Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit të tij si kryebashkiak, mbështeten mbi një akt që konsiderohet “nul”, duke sjellë pasoja të rënda për institucionet dhe rendin kushtetues.



