Julide Yazıcı, e cila në Francë njihet si refugjate politike dhe në Turqi si një e dënuar për ndihmë ndaj një organizate terroriste, prej disa kohësh ndodhet në burg në Shqipëri, në pritje që drejtësia shqiptare të vendosë nëse duhet t’ia dorëzojë apo jo Ankarasë.
Për të folur rreth kësaj çështje, i ftuar në MCN avokati i zonjës Yazıcı Artan Shllaku, tha se ajo ka 7 vite që është larguar nga Turqia dhe ka përfituar azil politik në Francë, gjë që i jep asaj të drejta të barabarta me qytetarët e Bashkimit Europian. Avokati bëri me dije se dokumentacioni përkatës i është paraqitur gjykatës shqiptare, e cila pritet të bëjë verifikimet e nevojshme në seancën e radhës.
Sipas Shllakut, gjykata shqiptare do të verifikojë me kujdes procedurën e azilit politik dhe të bazohet në praktikën e gjykatave europiane për ekstradimet. Ai theksoi se institucionet shqiptare duhet të hetojnë rrezikun që i kanoset mësueses turke dhe të kërkojnë garanci me shkrim nga Turqia që ndaj saj nuk do të aplikohet dënimi me vdekje.
Në këtë rast kemi të bëjmë me një shtetase turke që ka 7 vite që është larguar nga Turqia dhe ka kërkuar azil politik në Francë. Ajo ka të drejta të njëjta si qytetarët e Bashkimit Europian dhe konsiderohet si shtetase franceze për këtë shkak. Ne i kemi paraqitur gjykatës dokumentacionin tonë dhe gjykata do të bëjë verifikimet. Është kthyer gjykimi dhe seanca do të bëhet ditën e mërkurë.
Gjykata shqiptare duhet të verifikojë procedurën e azilit politik. Burimi i të drejtës janë edhe vendimet e gjykatave europiane, sepse praktika gjyqësore e BE-së ka dhënë shumë vendime në lidhje me ekstradimet, pasi duhet që të shikohet ekstradimi me kujdes. Gjykata shqiptare duhet të hetojë edhe rrezikun që mund t'i kanoset asaj dhe duhet të marrë garanci me shkrim nga Turqia që nuk do të dënohet me vdekje.
Ajo është dënuar me 4 vite e dy muaj burgim në Turqi dhe është ndaluar nga Shqipëria sepse rezultonte e kërkuar në Turqi. Por, policia shqiptare nuk i dinte faktet që ajo ka kërkuar azil në Francë. Ajo është një aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ka qenë mbështetëse e Partisë Popullore Demokratike, ndaj ajo është një disidente.
Avokati tha se nëse ajo kthehet në Turqi, do t'i mohohet e drejta për një mbrojtje të rregullt dhe rishikim të dënimit, ndaj gjykata nuk duhet ta ekstradojë në Turqi, por ta lejojë të kthehet në Francë.
Nëse do të kthehet në Turqi, ajo nuk do të ketë të drejtat e mbrojtjes për rishikimin e këtij dënimi, pasi është dënuar me 4 vite e dy muaj burg. Gjykata, pasi të ketë parë dokumentacionin për procedurën e azilit, nuk duhet ta kthejë atë në Turqi sepse i rrezikohen të drejtat, por ajo duhet të shkojë në Francë.



