Poeti dhe gazetari Arbër Selmani ka folur në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi librin me poezi dhe prozë “48 piano”, të cilin e shkroi për afro 12 vite. Selmani thotë se poezia “Kur vdiq baba” është poezia me të cilën ai njihet dhe e ka tejkaluar atë si autor.
Në ndërkohë kam botuar edhe libra të tjerë, që kanë qenë në fushën e Gazetarisë dhe Publicistikës. Pse jam vonuar kaq shumë? Është dinamika e jetës dhe jam marrë më gjëra të tjera. Ky është libri i katërt dhe kam një libër tjetër me poezi, ky është rikthim im pas 17 vitesh me një libër që ka edhe prozë edhe poezi.
Është poezia me të cilën njerëzit më shumë më njohin. Ata që më kanë në rrjetet sociale. Është shkruar në 2018-ën dhe është ndarë në 2020-ën gjatë pandemisë. Mori një vëmendje që unë s’e kam pritur. Është një himn universal. Me vdekjen e prindërit kam pasur një bllokadë dhe pastaj u riktheva me atë poezi. Tentimi më serioz ka qenë ‘Kur vdiq baba’, është përkthyer në disa gjuhë, gjermane dhe angleze. Ka merituar të jetë në këtë libër, të ketë vendin e saj si poezi. Libri fillimisht e ka pasur titullin ‘Kur vdiq baba;, por mu duk i rënduar emocionalisht i fortë, dhe thashë po shkoj me një titull tjetër. ‘Kur vdiq baba’ mbetet një nga poezitë më të forta. Ku e gjej frymëzimin? Në familje, shoqëri, në natyrë, në problematikat e jetës, në dhunën në familjes, në trajtimin ndaj minoriteteve, komuniteteve, në përballjen me politikanët që shpesh duket sikur na i varin fort. Poezitë e mia bërtasin. Është letërsi epike, shpesh korale, ujore, muzikale. Kohët e fundit i jam kthyer më shumë motivit familjar, që është goxha problematik në trojet shqiptare. Ka një vend të rëndësishëm dhe të pashmangshëm në përmbledhjen ‘48 piano’. Janë 48 shkrime, mes të cilave 5-6 proza. Lexuesi mund të presë ndjenjën e një njeriu që vuan, që ka një jetë të paplotësuar, që humb dikë, që kërkon ndihmë, që ka thirrje për përbashkim. Një poezi brenda titullohet mi sillni ‘48 piano’, prandaj titulli derivon prej saj. Muzika klasike me inspiron shumë, prandaj desha që titulli ta ketë këtë inspirim. Do ta kem një promovim në shtëpinë botuese ‘Berk’. Do jetë promovim i thjeshtë, simpatik, ku do kem bashkëbisedim me përkthyesen Aida Baro”.
Selmani tregon se botimi i tij i radhës do të jetë ‘48 piano’ i përkthyer i gjithi në gjuhën angleze.
Në gjuhën shqipe gjej shprehjet më të mira, më të bollshme, më të gatuara, më kuptimplote. Por edhe kur përkthehen poezitë e mia, lexuesi gjithmonë i pret mirë sepse përkthimet janë shumë mirë të përshtatura. Në gjuhën angleze ndihmoj në përkthim, por nuk përkthej shumë. Gjuhët e tjera nuk i njoh, por gjithmonë më kanë shkruajtur njerëz të këtyre vendeve dhe u kanë pëlqyer shumë poezitë. Mua më shkruajnë në rrjetet sociale vazhdimisht. Për poezinë ‘Kur vdiq baba’ më ka tejkaluar mua si autor. Më vjen mirë që po përkthehem dhe është bukur kur përkthehet poezia shqipe në botë. Është diplomaci kulturore që duhet ta njohim si të tillë. Një botim i radhës do jetë që libri ‘48 piano’ të përkthehet i tëri në gjuhën angleze.



