Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije sot se janë falur të gjitha gjobat e vendosura deri më tani për 7107 këmbësorë si dhe do t’u kthehen patentat 1941 shoferëve të cilët janë gjobitur pasi kanë shkelur urdhrat e qeverisë në kushtet e pandemisë së koronavirusit.
Në një komunikim publik, Rama tha po ashtu se qytetarëve do t'u kthehen pas patentat e bllokuara, ndërkohë që nga java tjetër - theksoi ai - do të nisim të gjithë si të barabartë.
"Ka disa tipa që nuk ndryshojnë dhe nuk reflektojnë në asnjë kohë dhe për asnjë arsye sepse nuk i lë injoranca apo vetëdija e gabuar se mund t'u japin mend të tjerëve. Këta tipa qofshin ngelësa tipik, apo analistë, që jo vetëm janë gjithnjë kundër, por janë njëlloj në gatishmëri për të akuzuar u hodhën përpjetë nga mbushja e një vakumi në kodin tonë penal, që deri dje nuk kishte asnjë resht për një situatë epidemie, nuk kam problem me ta, e kanë me veten, por as Zoti nuk ua zgjidh dot derisa të kenë frymë. Kodi Penal ka një qëllim, mbrojtjen e jetës dhe abuzimet që mund të kërcënojnë dhe rrezikojnë secilin prej jush. Sot dua t'u jap një provë të thjeshtë, se ndëshkimet nuk janë plan për t'u bërë si Enveri sikur më akuzojnë për domosdoshmëri për të forcuar. Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti. Të cilat janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vite dhe bllokim të makinës. Ne sot kemi vendosur mos ekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të gjitha mjetet e bllokuara. Javën e ardhshme me hyrjen në fuqi të Kodit të ri penal le të startojnë të gjithë të barabartë", tha Rama.
Pasi fali gjobat për këmbësorët e shoferët, Rama nesër u ka dhënë të drejtë pensionistëve të dalin për ajrosje.
“Pensionistët do mund të dalin, jo për domino e vizita por për ajrosje dhe ecje në këmbë deri në 11 paradite dhe jo më shumë se me një tjetër pensionist duke ruajtur distancën”, tha kryeministri teksa bëri me dije se nga java e ardhshme, lejet për të dalë me makinë do merren në e-Albania vetëm për vajtje-ardhje, shtëpi-punë.
“Javën e ardhshme në e- albania do merret një autorizim javor për ata që janë në punë dhe automjeti do lëvizë vajtje ardhje në punë me vetëm një njeri në pjesën e pasme të makinës, kush merr leje do ta lexojë mirë pasojën penale që vjen nga shkelja e mundshme”, tha Rama.



