Kryeministri Rama thotë se klasa politike shqiptare ka kapacitetin për t’i zgjidhur vetë problemet, por mungesa e dëshirës për t’u angazhuar në dialog e ka penguar gjithmonë. Në seancën ku po diskutohet për ndryshimet kushtetuese, për të cilat maxhoranca dhe opozita parlamentare kanë rënë dakord, Rama tha se duke iu drejtuar ndërkombëtarëve për problemet e veta, politikanët shqiptar kanë bërë qesharak shtetin.
“Dua t’i falënderoj të gjithë deputetët për kontributin e dhënë për ta sjellë këtë votim në Parlament. U bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen edhe 30 të tjera nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë. Ne prej 30 vjetësh kërkojmë në anglisht zgjidhjen e problemeve tona, që janë probleme shqiptare. Ne kërkojmë të na zgjidhin probleme që na takojnë t’i zgjidhim së bashku. Kur dëgjoj ambasadoren amerikan që thotë do t’i ndjekim liderët a do ta mbajnë apo jo fjalën, nuk më vjen mirë. Asnjë prej nesh nuk duhet të bëjë qesharak shtetin e vet. E kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët. Këto nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar të bëhet atë që mund të bëhej me gjithë ato që i ka dhuruar Zoti”, tha ai.



