Koordinatori kombëtar i Unionit të Sindikatave të Shqipërisë Ilia Kondi duke folur në “Mcn Informacion” i konsideroi si alarmante shifrat e aksidenteve në punë, ndërsa theksoi se pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin në sektorin e ndërtimit.
Ai tha se punëtorët e ndërtimit trajtohen si skllevër, me paga të ulëta, dhe pa kontrata pune. Kondi e konsideroi shumë të rëndësishme organizimin sindikalist të punëtorëve.

“Kemi pasur raste që s’përfshihen në raportin e Inspektoriatit të Punës. Qasja është të jetë shifër më e lartë. E shohim si alarmante se kushtet dhe siguria në punë nuk ka qasje të përmirësohen. Aksidentet duhet të zvogëlohen. Kemi raste dhe denoncime që pjesa kryesore e fajësisë i lihet punëdhënësit. Por ndodh që edhe punëmarrësi s’i ka kryer rregullat teknike.
Ne e shohim si domosdoshmëri për t’u përmirësuar ky realitet, veçanërisht në rastin e pasojës me vdekje, apo plagosje. Ka kosto për shoqërinë dhe institucionet, sepse duhet të ketë pension, zhdëmtim. Në sektorin e ri të catering-ut ndodhin shumë aksidente.
Ne kemi ngritur një sistem dixhital ku marrim denoncimet. Shpesh i jemi drejtuar Inspektoriatit të Punës, pa bërë me dije punëmarrësin, por kemi identifikuar punëdhënësin, nëse s’ka vendosur perimetër sigurie, apo nëse s’mbajnë kokore. Pjesa më e madhe e aksidenteve ndodhin në ndërtim, me pasojë vdekjen.
Ky sektor jo vetëm është bërë pa kriter, por ka shkatërruar planet urbane. Punonjësit e ndërtimit do t’i quaja skllevër, me paga të ulëta, shpesh herë me paga gri, ku nuk deklarohet paga reale e tyre. Të gjithë punëtorët duhet të kërkojnë kontratat e punës. Duhet të krijohen celula sindikaliste, sikur 5 apo 10 punëtorë të zgjedhin një përfaqësues.
Ne jemi të gatshëm të japim asistencën tonë. Punëtorët nuk i fitojnë dot të drejtat individualisht, përveç se në gjykatë. Në rastin e sindikatës është ajo që do përgjigjet për ta. Organizimi sindikalist është shumë i rëndësishëm”.



