
Kryeministri Ramush Haradinaj ka ripërsëritur se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet deri në njohje. Në konferencën për gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka thënë se kushtëzimi i dialogut me Serbinë, është i pakuptimtë.
“Vendosja e taksës është vendim i Kosovës, arugmentet i kemi tregu, kushtëzimi i dialogut është pakuptim. Është e papranueshme të kushtëzohet dialogu, mendoj se nuk humb veç Kosova por humb i gjithë rajoni. Taksa është këtu deri në njohje, nuk hiqet deri në njohje”, tha Haradinaj.
Në muajin nëntor Kosova vendosi taksën prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Beogradi e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.
Kryeministri Haradinaj, në konferencën për mediat pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, ka komentuar deklaratën e zëdhënëses së KE-së, Maja Kocijancic, lidhur me kyqjen e temës për Trepçën në dialog me Serbinë.
Edhe një herë, kryeministri ka thënë se kjo tregon se BE i ka humbur rruga në oborr.
“Trepca është e Kosovës, shiqoni ligji është i Kosovës, është një precedan dikush me komentu një votim të parlamentit të Kosovës, pra një tregues që atyre iu ka humb udha në oborr. Kyqja e kësaj teme në dialog është thirrje për destabilzim. Kosova i krynë vetë punët e shtëpisë”, ka thënë Haradinaj.



