Shqipëria inkurajon Kosovën t’i përmbushë kriteret e fundit të përcaktuara nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe të mos presë që çështja të zgjidhet përmes lëshimit të pasaportave shqiptare për shtetasit e Kosovës.
Ka qenë kreu i Parlamentit shqiptar, Gramoz Ruçi, i cili e ka dhënë këtë mesazh gjatë vizitës zyrtare që pati dje në Prishtinë.
Pak ditë më parë, gjatë një vizite të presidentit Meta në Prishtinë, Thaçi bëri propozimin që shtetasve të Kosovës t’u jepeshin pasaporta shqiptare, në mënyrë që ata të përfitonin nga lëvizja e lirë në zonën Shëngen.
Kreu i Kuvendit, Ruçi, theksoi gjatë takimeve me krerët e lartë të Kosovës se është më mirë që Kosova të përqendrohet në kriteret e përcaktuara ku bën pjesë edhe ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Unë e kam ndjekur atë që presidenti Thaçi kërkoi nga presidenti Ilir Meta. Unë e kam një përgjigje dhe ajo është se, ne jemi dhe mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Ruçi.
“BE-ja nuk duhet ta lërë Kosovën si një ishull të izoluar në Ballkan. Andaj, unë inkurajoj të gjitha forcat politike që çështja e Demarkacionit të zgjidhet, nëse kjo është pengesa, edhe pse mendoj se Kosova i ka përmbushur kërkesat evropiane”, theksoi ai.
Ruçi tha po ashtu se nuk ka nevojë që çështja e vizave të zgjidhet “përmes relacioneve shqiptaro-shqiptare”, por në relacionet e Kosovës me Bashkimin Evropian.



