
Ndërsa shkollat franceze kanë filluar të rihapen, disa prindër kanë zgjedhur të mos i dërgojnë fëmijët e tyre përsëri në shkollë.
"Ajo që kam dëgjuar është se familjet kanë frikë nga virusi se mund të infektohen. Nëse janë në gjendje t'i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi, sepse kanë të paktën një prind që nuk punon ose nuk ka rifilluar ende punën, ata preferojnë t'i mbajnë në shtëpi", tha Marie Lugnier, sekretare e përgjithshme e shoqatës së prindërve të departamentit Rhône.
Franca kaloi më shumë se 50 ditë në izolim me shkollat dhe bizneset të mbyllura dhe me kufizime të rrepta në udhëtime.
Ndërsa vendet e tjera evropiane kanë zgjedhur që shkollat t’i mbajnë të mbyllura, qeveria franceze ka thënë që kthimi i fëmijëve në shkollë parandalon që ata të mbeten prapa. Nga 11 maji, vendi filloi hapjen e disa shkollave fillore.
Jean-Michel Blanquer, Ministri i Arsimit në vend, ka thënë se nxënësit duhet të kthehen në shkollë.
Lugnier thotë se ka edhe familje që presin të shohin se si shkon kthimi në shkollë.
"Ekipet mësimore dhe menaxhuese janë përpjekur të sigurohen që protokolli shëndetësor të zbatohet sa më mirë që të jetë e mundur", tha Lugnier.
Kjo përfshin punën për të zbatuar rregullat e distancës sociale në shkollë.
Një foto e fëmijëve të vegjël që luanin në sheshe të veçanta në një kopsht shkollor doli së shpejti virale.
"Mësuesit do të duhet të shpikin diçka. Ne u besojmë atyre; është puna e tyre.”



