
Vlera monetare e qarkulluar në lojërat e fatit që luhen ilegalisht në Itali arrin në 20 miliardë euro në vit. Kjo shifër përbën 20% të vlerës së luajtur në lojërat legale, çka do të thotë se evazioni fiskal është i jashtëzakonshëm edhe në ato vende që e kanë të legalizuar biznesin në fjalë.
Në një shkrim të vetin, gazeta ekonomike italiane, “Il sole 24 ore”, shkruan se problemi në fjalë kërkon zgjidhje, por se në fakt ndalimi nuk hyn në menunë e zgjidhjeve. Ajo citon prokurorin antimafia, Federico Cafiero De Raho, të jetë shprehur se përvoja e operacioneve të kryera dhe shifrave të ndaluara në to tregon se ndalimi i lojërave të fatit, si në çdo sektor nuk zgjidh gjë. Një arsye për këtë është se loja në të zezë u mundëson penetrim shumë strukturave kriminale që mandej mund të zhvendosin fitimet në parajsat fiskale, të pastrojnë paratë për t’i rikthyer në vend të pastra.
Italia ofron një shembull të qartë në këtë drejtim. Pas hyrjes në fuqi të ligjit për kufizimin e lojërave të fatit dhe ndalimit të videollotarive dhe sloteve në rajonin e Piemontes është verifikuar shtimi i makinave ilegale. Në vitin 2016 ishin vetëm 51, në vitin 2017 shkuan në 2 443. Shifra e evadimit fiskal e jep më të qartë panoramën: në 51 makina shteti italian apo rajoni humbi 476 838 euro. Në 2 443 makina ilegale u evaduan 952 798 euro.
Problemi shtohet edhe me faktin se loja e ndaluar prodhon efekte në buxhet. Ky shembull sugjeron një krahasim me situatën në Shqipëri. Qeveria ndërhyri brutalisht në tregun e lojërave të fatit duke i ndaluar ato, pavarësisht se kishte licencuar po vetë kompanitë që operonin në treg. Flitet se kompanitë paguanin me vetëdeklarim dhe shifra e të ardhurave prej tyre shkonte diku te 72 milionë euro në vit, ndërkohë që z. Rama, kryeministri, shprehej se shqiptarët shpenzonin rreth 700 milionë euro në vit të luajtura jashtë. Pasi ndaloi lojërat jashtë kryeministri duhet të kishte rritur të ardhurat nga lojërat brenda, pasi teorikisht u transferua e gjithë shuma në lojërat brenda. Nuk ka të dhëna nëse një gjë e tillë ka ndodhur, edhe sepse qeveria mori masën e ndalimit.
Sikundër deri më sot as Drejtoria e Tatimeve dhe as AMLF-ja nuk kanë publikuar të dhëna për efektin financiar që ka sjellë ndalimi i lojërave të fatit në buxhet. Është gjithsesi e pabesueshme që Ministria e Financave të mos ketë marrë në shqyrtim një situatë të tillë ndërkohë që nga Ministria e Brendshme p.sh nuk ka një raport mbi situatën në territor, pra nëse ndalimi ka sjellë apo jo lojërat në të zezë. Dihet vetëm që qeveria ka përfshirë në Kodin Penal sanksione për organizimin dhe pjesëmarrjen në lojërat e fatit, duke dëshmuar se nuk e sheh zgjidhjen te rregullimi, por vetëm te ndalimi. Për arsye që nuk kuptohen.



