
Ekonomitë e mëdha që nuk arrijnë të adresojnë problemet e borxhit në rritje do të shkojnë drejt një "vdekjeje fiskale", ka paralajmëruar kreu i këshillimit për investime dhe pasuri, Laffer Tengler Investments, Arthur Laffer.
Në një intervistë me CNBC këtë javë, ai parashikon një "dekadë borxhi", duke shtuar se kriza e huamarrjes ka përfshirë si vendet e zhvilluara, ashtu edhe ato në zhvillim dhe nuk do të "përfundojë mirë".
Borxhi global është rritur me 100 trilionë dollarë nga një dekadë më parë dhe ka arritur një rekord prej 307.4 trilionë dollarësh shtatorin e kaluar, mes rritjes më të madhe të normave globale të interesit në 40 vjet.
Vendet e pasura si SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Japonia përbëjnë më shumë se 80% të kësaj rritjeje për shkak të akumulimit të pakontrolluar të borxhit. Kina, India dhe Brazili panë rritjen më të theksuar të huamarrjeve midis tregjeve në zhvillim.
"Unë pres që disa nga vendet më të mëdha që nuk adresojnë çështjet e tyre të borxhit do të shohin një vdekje të ngadaltë fiskale," tha Laffer, duke shtuar se disa ekonomi në zhvillim "mund të mund të falimentojnë". Ndërsa vendet me të ardhura të ulëta janë në rrezik të lartë për shkak të borxhit, ripagimi i borxhit mund të jetë veçanërisht problematik për vendet me të ardhura të larta për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Raporti më i fundit i Institutit të Financave Ndërkombëtare tregon se pjesa e borxhit ka arritur në 336% të PBB-së globale krahasuar me një raport mesatar borxhi ndaj PBB-së prej 110% në vitin 2012 për ekonomitë e përparuara dhe 35% për tregjet në zhvillim.



