
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka dhënë dorëheqjen.
Vendimi i tij u mor pas humbjes ne zgjedhjet e fundit lokale, konfirmuar nga raundi i dytë këtë të diele.
Zaev deklaroi në një dalje për mediat se merr përgjegjësinë politike për humbjen e partisë se tij në këto zgjedhje lokale.
Në këtë mënyrë ai konfirmoi se veç pozitës se kryeministrit, do te largohet edhe nga detyra e kreut të LSDM.
“Përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së.Do të qëndroj ende këtu, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ekziston dhe mund të rritet”.
Dorëheqja e mbrëmshme e kryeministrit Zoran Zaev, në fakt do të thotë dorëheqje e gjithë Qeverisë. Sipas nenit 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Zaev tani duhet me shkrim ta njoftojë kryetarin e Kuvendit, ndërsa më pas vijon procedura për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Neni 93 i Kushtetutës së Maqedonisë thotë se “… dorëheqja e kryeministrit, vdekja e tij ose pengimi i përhershëm i tij në kryerjen e detyrave të tij, sjell dorëheqjen e Qeverisë. Qeveria ndaj të cilës është votuar votëbesimi, ka dhënë dorëheqje ose mandati i së cilës është ndërprerë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re”.
Pra, zyrtarisht dhe ligjërisht, përcjell Telegrafi Maqedoni, kryeministri dhe qeveria aktuale vazhdojnë të punojnë derisa presidenti i shtetit t’ia ndajë mandatin për përbërjen e Qeverisë kandidatit të partisë, pra partive që kanë shumicën në Kuvend. Më pas, mandatari i ri për kryeministër, në afat prej 20 ditësh nga dita e marrjes së mandatit, duhet të paraqesë program në Kuvend dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re.



