
Rusia mund të ndërpresë plotësisht gazin për Evropën pasi kërkon të forcojë ndikimin e saj politik në mes të krizës në Ukrainë, tha të mërkurën kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), duke shtuar se Evropa duhet të përgatitet tani.
“Nuk do të përjashtoja që Rusia të vazhdojë të gjejë çështje të ndryshme aty-këtu dhe të vazhdojë të gjejë justifikime për të reduktuar më tej dërgesat e gazit në Evropë dhe ndoshta edhe ta ndërpresë atë plotësisht”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-s Fatih Birol në një prononcim për “Reutes”.
“Kjo është arsyeja pse Evropa ka nevojë për plane emergjence”, shtoi Birol, duke thënë se një reduktim i kohëve të fundit i flukseve mund të jetë një përpjekje për të fituar ndikim politik përpara muajve të dimrit ku pritet të ketë kërkesë më të lartë.
“IEA nuk e sheh një ndërprerje të plotë si skenarin më të mundshëm”, shtoi ai.
Bashkimi Evropian ka sanksionuar naftën dhe qymyrin rus, por ka frenuar ndalimin e importeve të gazit pjesërisht për shkak të varësisë së madhe të furnizimeve nga Moska.



