Politologu Roland Bejko duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV për formulën e listave për deputetë tha që ajo ka vrarë demokracinë, dhe në thelb ka modelin e kryetarokracisë, ku vendosin vetëm kryetarët.
Sipas Bejkos kriteri i parë i përzgjedhjes së deputetëve do jetë besnikëria ndaj kryetarit dhe jo meritokracia. Bejko vë në dukje se ky sistem defavorizon opozitën dhe pengon rotacionin.
“Është formula më e keqe e bërë në Shqipëri në 34 vite, e bërë nga PS dhe PD. Formula më e keqe që ka vrarë demokracinë. Votohet në mënyrën më të keqe të mundshme. Kemi kaluar në një sistem tipik partitokrat. Në modelin e kryetarokracisë, ku vendosin vetëm kryetarët. T’i heqësh të drejtën e zgjedhjes qytetarëve, ti ke masakruar demokracinë përfaqësuese. Sot 92 deputetë do zgjidhen nga listat e kryetarëve.
Kanë ngelur shumë pak emra që do zgjidhen nga qytetarët. Partitë e vogla do ta kenë shansin minimalë për të nxjerrë deputetë, edhe nëse marrin vota, sepse kështu e kanë bërë sistemin ata. Nuk kanë të drejtën e koalicionit. Këta i mbyllën edhe më shumë listat, duke abuzuar me vendimin e GJK. Mbi 2/3 e deputetëve do garantohet në listën e mbyllur, dhe kryetarët s’janë të detyruar t’ua thonë emrat votuese, por e çojnë drejtpërdrejtë te KQZ-ja.
Ky sistem s’e ka votën e barabartë, sepse me shumë pak vota në një qark nxjerr deputet, dhe nuk i nxjerr dot në një qark tjetër. Është shkelur Kushtetuta dhe barazia e votës. Opozita është defavorizuar në këtë sistem. Berisha i ka bërë dëm vetvetes, opozitës, por edhe demokracisë, duke penguar rotacionin. Në rast se Berisha do kishte marrë koalicionin parazgjedhor dhe do kishte lista të hapura, opozita ishte e sigurt që do kishte fituar. Kryetarët do vendosin njerëzit e tyre më besnikë. Ata duan të ruajnë kryetarokracinë”.



