Letra higjienike që përfundon në kanalizime përmban të ashtuquajturat kimikate që zgjasin “përgjithmonë”, të quajtura kështu sepse asnjë kimikat tjetër nuk qëndron në mjedis për aq gjatë, duke krijuar një sasi të konsiderueshme ndotjeje në mbarë botën.
Një fakt i tillë u zbulua nga një studim i Universitetit të Floridas, SHBA, i cituar nga mediat ndërkombëtare.
Rreziku vjen pasi në sistemin e ujërave të zeza, këto mbetje toksike mund të përhapen mbi tokën bujqësore si pleh ose të derdhen në lumenj.
Letra higjienike mund të konsiderohet potencialisht një burim kryesor i Pfas, një akronim për substancat polifluoroalkil, thuhet në studim.
Kimikatet në këtë kategori përdoren zakonisht në mijëra produkte të konsumit për t’i bërë ato rezistente ndaj ujit, nxehtësisë dhe reaksioneve të tjera. Efektet e tyre janë të lidhura me një gamë të gjerë sëmundjesh, duke përfshirë kancerin, komplikimet e fetusit, çrregullimet e mëlçisë, çrregullimet e veshkave, çrregullimet e sistemit autoimun dhe sëmundje të tjera të rënda shëndetësore.
Megjithatë, studimi i universitetit amerikan nuk ka marrë në konsideratë implikimet shëndetësore, të cilat tashmë ishin të njohura, por ka konstatuar praninë e këtyre substancave në letrën higjienike.
Sondazhi shqyrtoi 21 nga markat më të shitura të letrës higjienike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Pa përmendur markat, studimi zbuloi se Pfas janë të pranishme në të gjitha, përfshirë ato që përdorin letër të ricikluar.
“Nuk mund të ketë asnjë mënyrë për të shmangur përdorimin e Pfas në letër higjienike”, thotë Jake Thompson, autori kryesor i studimit dhe një kandidat për doktoraturë në Universitetin e Floridës.
Personalisht nuk do të nxitoj të ndryshoj markën e letrës sime higjienike dhe as nuk them se njerëzit duhet të ndalojnë përdorimin e saj ose të reduktojnë sasinë që përdorin.
Studimi ynë është i kufizuar në identifikimin e një burimi tjetër të këtyre kimikateve dhe nxjerrjen në pah se sa të kudogjendura janë ato.
Në një deklaratë të transmetuar për rrjetin e radios dhe televizionit WSVN të Floridas, një shoqatë që përfaqëson industrinë e letrës higjienike në SHBA tha se substancat me bazë Pfas nuk shtohen në prodhimin e produkteve të tyre.
Autori i studimit përgjigjet se provat që janë mbledhur duket se sugjerojnë të kundërtën, duke supozuar se këto substanca nuk përdoren qëllimisht nga industria.
Kompanitë mund të mos jenë në dijeni të pranisë së këtyre agjentëve kimikë. Ka mundësi që ato vijnë nga prodhimi i makinerive të përdorura për prodhimin e letrës higjienike.
Ajo që është e sigurt është se përdoret shumë letër higjienike: një amerikan mesatar nxjerr 25 kilogramë në vit në tualet. Ose për një total prej 10 milionë tonë çdo dymbëdhjetë muaj vetëm në Amerikën e Veriut.
Agjentët kimikë të përhershëm janë aq të përhapur sa është e vështirë të përcaktohet burimi i saktë i tyre, por si shoqëri ne duhet të vendosim se çfarë të bëjmë për këtë problem, përfundon studimi.



