Profesori Ylli Pango duke folur në emisionin “Arnautistan” mbi turizmin tha se sot pas 30 vitesh ka ndryshuar imazhi i shtrembëruar i Shqipërisë. “Imazhi që ne kemi pasur pas ikjes, me anijet, është fiksuar në memorien e miliona europianëve si një vend që s’mund të jetë turistik. Në 30 vite më në fund ky imazh i shtrembëruar i Shqipërisë, dalëngadalë, edhe në saj të punës, ku unë i jap një rol primar sektorit privat, u arrit një ditë që më në fund pika kritike u kalua. Tashmë jemi vetëm në ngjitje, nuk është meritë e asnjë qeverie. Është meritë mbarëkombëtare, investitorë, privat, dhe një pjesë e vogël qeveritë. Në kohën tonë u arrit shifra 2 milionë. Këtyre nuk u besohej. Në atë kohë u bë reklama e CNN. Berati u bë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. Nuk po flas për punën time, por të një ekipi të tërë. Sot kemi arritur që në saj të punës të disa qeverive të kemi disa rrugë që të çojnë në rivierën tonë. Turizmi është në rrugë të mbarë”, tha Pango.



