Rudina Memaj, nëna e njërit prej të arrestuarve në Lushnje, e cila dje u dhunua nga efektivët policisë duke u nxjerrë me forcë nga komisariati ka folur sot për MCN Live lidhur me ngjarjen.
Ndërsa rrëfen dhunën e efektivëve, të cilët momentalisht janë pezulluar, Memaj paralajmëroi denoncim për policët pas marrjes së përgjigjeve të raportit mjekësor.
Po pres të marrë përgjigjet e raportit mjekësor dhe do të bëj denoncim edhe për policinë edhe për këta që më kanë dhunuar. O këta o ne!”, u shpreh ajo.
Nuk jam e qetë kam gjithë natën pa gjumë. Nuk e di pse policia mban anën e atyre, ata janë dy drogaxhinj që kanë vjedhur dhe kanë rrahur gjithë lagjen. Kur ka ardhur policia në shtëpi më ka marrë mua dhe djalin. Më shoqëruan edhe mua me djalin. Njëri nga të droguarit më ka goditur në kokë. Ndërsa policia e Lushnjës kur më ka nxjerrë zvarrë më ka shembur krahun e djathtë. Unë thashë nuk e lë djalin vetëm, ka një kulturë, një edukatë. Më kanë goditur djalin, tim, dajën time. Këta kanë dalë të pafajshëm dhe djali im është çuar në burg. 7 policia më kanë nxjerrë zvarrë, më zhveshën lakuriq, mi hoqën rrobat. Më një fjalë djali im është agresori dhe ata të pafajshëm! Dua të më nxjerrin djalin nga burgu edhe të fusin mua. Mos m’i shkatërroni jetën djalin i thashë.
Prokurori nuk erdhi farë aty, policia tallej. I droguari më shante me fjalë të pista, sa u bëra edhe unë agresive, dola jashtë kontrollit. Çunin ma kishin mbyllur në një dhomë veç. Të shikosh fëmijën tënd të gjakosur këmbë e kokë, nuk e harroj dot atë pjesë. Ai më shante mua edhe më tha fëmijën tënd do ta vras. Po nuk e zgjidhi shteti do ta zgjidh unë personalisht. Djali im është 20 vjeç. Djali im mbylli derën dhe nuk i lejoi të hynin brenda. Ata kanë shtyrë derën me forcë dhe e kanë goditur me shkop bejsbolli, për ta vrarë. As djali nuk e di vetë. Ai në polici ka dëshmuar se gjasme djali im ka kapur djalin e tij dhe i ka thënë do ta vras babin”, tha Rudina Memaj.



