
Kardinali australian, Xhorxh Pell ,është dënuar me gjashtë vjet burg për abuzimin seksual të dy djemve, në Australi. Gjyqtari i çështjes e cilësoi rastin e tij një sulm "të ashpër" dhe shpërdorim "të rëndë" pushteti. "Ka një ngarkesë të shtuar të degradimit dhe poshtërimit që secili nga viktimat duhet të ketë ndjerë, duke e ditur se abuzimi i tij është dëshmuar edhe nga tjetri", tha gjyqtari Peter Kidd.
Pell, i cili i ka mohuar akuzat dhe planifikon ta çojë vendimin në Apel, u paraqit në Gjykatën e Melburnit dhe u dënua për pesë vepra penale, duke përfshirë dhe ngacmimin seksual të djemve në 1996-1997.
Pell është anëtari më i lartë i klerit që dënohet për abuzimin seksual të kryer në vitet ‘90 ndaj dy djemve që në atë kohë ishin 13 vjeç. Ai ka shërbyer si këshilluesi financiar i Papa Françeskut dhe si ministër i Ekonomisë në Vatikan.
Gjyqtari i çështjes pohoi se sulmi i kardinalit ndaj një prej djemve në viitin 1997, ka pasur "ndikim të thellë" në jetën e viktimës së tij, pasi djali humbi jetën për shkak të mbidozës në vitin 2014, pasi nuk gjeti kurrë forcën të flasë për abuzimin që ai pësoi në duart e Pellit.
"Një hap i vogël drejtësie është bërë sot. Nuk mendoj se gjashtë vjet janë të mjaftueshme , tha një avokat i viktimave jashtë gjykatës.
Kardinali 77-vjeçar mësohet të ketë abuzuar seksualisht me dy të miturit, të cilët në kohën kur ndodhën këto episode kanë qenë pjesë e korit të kishës. Abuzimi ka ndodhur kryesisht pas mbarimit të meshës në katedralen e San Patrizios në Melbourn, në 1996, kur Pell ishte 55 vjeç.
Vendimi për dënimin e tij me burg ka tronditur kishën katolike në një kohë ku akuzat për abuzimin seksual nga klerikët janë në qendër të vëmendjes. Ndërkohë, kardinali australian mund të kërkojë lirim me kusht pas tre vitesh e 8 muajsh.



