Në Kinë, qeveria ka gati një paketë masash të rrepta që kufizojnë sasinë e kohës që fëmijët dhe adoleshentët mund të kalojnë në telefonat e tyre. Kjo është pjesë e një strategjie mbarëkombëtare për të kultivuar "moral të mirë" dhe "vlera socialiste", si dhe parandalimin e varësisë nga interneti. Përdoruesve do t’u ofrohet përmbajtje në përputhje me moshën.
Përdoruesit e moshës 16 deri në 18 vjeç do të lejohen dy orë në ditë, fëmijët nga tetë deri në 16 vjeç do të kenë një orë ndërsa fëmijët nën tetë vjeç do të lejohen vetëm tetë minuta.
Data 2 shtator shënon mbylljen e konsultimeve me publikun, për të nisur rrugën drejt miratimit të rregullores së re.
Autoritetet kineze vitet e fundit kanë ngritur shqetësimin për shkallën e miopisë dhe varësisë nga interneti tek të rinjtë.
Në vitin 2021, qeveria vendosi një kufizim për lojtarët e lojërave video nën moshën 18 vjeç. Kjo i dha një goditje të madhe gjigantëve të lojërave si Tencent.
Platformat video si Bilibili, Kuaishou dhe ByteDance kanë ofruar që nga viti 2019 modalitete të tilla që kufizojnë aksesin e përdoruesve në përmbajtje dhe kohëzgjatjen e përdorimit.
Aplikacioni i ngjashëm me TikTok Douyin i ByteDance i ndalon adoleshentët ta përdorin atë për më shumë se 40 minuta.



