Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se LSI-ja nuk mban përgjegjësi për abuzimet gjatë bashkëqeverisjes 4-vjeçare me PS-në. Në një intervistë për “Panoramën”, Gjosha, e cila kryeson listën e Tiranës, thotë se LSI-ja u ka qëndruar besnike parimeve dhe votuesve të saj.
“Së pari, mendoj se LSI nuk mund të mbajë përgjegjësi që nuk i takojnë për vendimmarrje apo abuzime të këtyre 4 viteve që ka qenë në bashkëqeverisje me PS. Së dyti, jam e bindur se zoti Meta nuk ka dalë në asnjë moment jashtë dy parimeve mbi të cilat ka themeluar LSI-në, që janë: Mirënjohja dhe fjala e mbajtur. Janë dy shtylla që LSI-në e kanë mbajtur në këmbë në ditë shumë të vështira, të cilat LSI i ka pasur të palëkundura. Por, nga ana tjetër, unë mendoj se të thuash disa të vërteta, është një detyrim që të gjithë ne e kemi jo vetëm ndaj votuesve të LSI, por ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë”, shprehet ajo.



