
Një gjykatë në Hungari ka dënuar me nga 25 vite burg, katër persona të cilët akuzohen për vdekjen e 71 emigrantëve, të cilët u mbytën në një kamion të mbyllur në gusht të 2015-s.
Policia gjeti trupat e dekompozuar të viktimave në kamionin e regjistruar në Hungari dhe të braktisur afër një fshati austriak. BBC shkruan se ngjarja ka ndodhur gjatë rritjes së fluksit të emigrantëve.
Një afgan, i identifikuar si kreu i bandës mori 25 vjet burg, njësoj si tre bashkëpunëtorët e tij hungarezë. 10 të tjerët, bullgarë përveç njërit, morën dënime më të vogla.
Ata u shpallën të gjithë fajtorë për mbytjen dhe kontrabandimin e njerëzve. Në 2015-n, Europa Qendrore u përball me një fluks të madh emigrantësh, shumë nga Siria dhe zona të tjera ku kishte konflikte.
Të akuzuarit në gjykatën e Kecskemet, mund t'i apelojnë vendimet. Shumë prej tyre shprehën pendesë, ndërsa tre bullgarë nuk ishin prezentë.
Viktimat vinin nga Iraku, Afganistani, Siria dhe Irani. Ndër ta ishin 8 gra dhe katër fëmijë. 59 të tjerët ishin burra. Të gjithë, përveç njërit, janë identifikuar tanimë.
Të mbyllur në trailerin e një kamioni mishi, në një ambient të vetëm, të 71 viktimat besohen se janë mbytur në më pak se 3 orë nga nisja. Ata vdiqën në një ditë të nxehtë kur kamioni ishte ende në Hungari. Ai u gjet në Parndorf, sapo kishin kaluar kufirin austriak.
Kamioni i mbushur me salsiçe dhe koka pule, ishte mbyllur hermetikisht.



