Inxhinieri i ndërtimit Erald Kërluku, për zjarrin në një pallat të kompanisë “Arlis” në Tiranë, thotë se materialet e përdorura në fasadën janë të pacertifikuara për zjarrin.
Në një intervistë për “MCN Live”, ai deklaroi se materiali është teknikisht i pacertifikuar, por objekti është i kolauduar, certifikuar dhe në shfrytëzim.
Sipas tij, institucionet e shtetit duhet të ndërhyjnë në të gjithë objektet ku ka materiale të tilla.
Si pjesë e armatës teknike që përfaqësoj, kjo është e pafalshme, se ne jemi profesionistë që jemi të përgatitur të kemi informacionet e duhura për të parandaluar çdo ngjarje të tillë. Ky rast, ashtu sikundër dy raste të tjera më parë, paraqesin të njëjtin karakter problemi, neglizhenca dhe informacioni i paplotë lidhur me rrezikun.
Sidomos fasadat janë elementë delikatë si nga uji dhe zjarri, ku që nga projektuesi deri te ndërtuesi, duhet të marrë masa për të parandaluar dëmin. Materialet e përdorura në këtë fasadë janë të pacertifikuara për zjarrin. Ligji parashikon që të jetë material A1, që do të thotë është material i padjegshëm. Në këtë rast kemi material të djegshëm.
Informacioni i munguar ka qenë shkaku kryesor i kësaj ndodhie. Flasim teknikisht i pacertifikuar, por ai certifikatë ka. Se ai objekt është i kolauduar, i certifikuar dhe është në shfrytëzim. Ky lloj materiali është përdorur kryesisht në tregun e Tiranës në 3-4 vitet e fundit. Duhet hequr i gjithë produkti i veshjes së fasadës se është material që digjet, si plastmasi që merr flakë direkt.
Duhet ndërhyrë në të gjithë kompleksin dhe të hiqet gjithë fasada. Institucionet e shtetit duhet të ndërhyjnë në të gjithë objektet ku ka materiale të tillë. Duhet të zëvendësohen me materiale që nuk lejojnë përcjelljen e zjarrit.
Ndërtuesi nuk ka kursyer, por nuk ka ditur ta bëjë siç duhet. Ka dashur të bëjë diçka estetike të bukur, pa ditur nuk ka zgjedhur materialin e duhur.



