
Deputeti Fatmir Mediu në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN Live ka komentuar lidhur me situatën e krijuar prej dy ditësh në Ukrainë e cila është sulmuar nga Rusia. Ai deklaroi se ky është një moment i vështirë dhe se ky sulm nuk duhet marrë vetëm ndaj Ukrainës, pasi është një sulm ndaj të gjithë Europës.
Sipas tij kjo situatë ka nevojë për politika të qarta dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt pa humbur kohë, duhen analizuar problemet në sigurinë kombëtare. Mediu theksoi se Rusia dhe Kina kanë influencë mbi Ballkanin dhe se sanksionet e ndërmarra duhet të frenojnë Putin dhe jo ti lënë atij hapësira për të vepruar herë pas here.
Gjithë Evropa janë në një njëlloj shoku nga agresioni që ka bërë Putin dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me Ukrainën por ka të bëjë me Evropën dhe stabilitetin e saj. Është sulm ndaj Evropës dhe është moment i vështirë. Duhet të na bëjë të reflektojmë jo vetëm si vend anëtar i NATOs.
Kuvendi duhet të ketë një qëndrim të qartë lidhur me këto çështje të sigurisë. Këto nuk janë politika të njëanshme, por duhet ta bashkojnë politikën. Rusia ka një kohë të gjatë që ka ushtruar një aktivitet intensiv mbi Ukrainën dhe qëllimi ka qenë gjithmonë të ushtrojë një kontroll dhe të këtë ndikim mbi Ballkan. Politika shqiptare aktualaisht nuk duhet të krijojë politika në mbështetje të Serbisë.
E para duhet të analizojë problemet që kanë të bëjmë ne interesin tonë kombëtar dhe sigurisë kombëtare. Duhet ta bëjnë koordinim me faktorin politik shqiptar rajonal. Nëse ne si politikë shqiptare nuk kuptojmë se Vuçiç influencën e vetë e krijon nga marrëdhënia me Rusinë unë mendoj se ne nuk kemi kuptuar asgjë dhe jemi shumë naiv në politikën e jashtme. I gjithë interesi serb është i lidhur me Rusinë. Është një aleancë mes tyre, besoj se s’do të dalë asnjëherë kundër Rusisë.
I pyetur nëse i trembet Putin seksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe se si duhet lexuar vendosja e 7 mijë trupave në Evropë, Mediu tha se Perëndimi duhet të jetë më i qartë dhe se shoqërimi i trupave duhet të shoqërohet me një politikë të qartë.
Para një jave e kam shprehur që veprimet e Perëndimit kanë qenë pak konfuze dhe s’kanë dhënë sinjalet e forta ndaj Rusisë se deri ku mund ta zmbrapsin ato Putin. Ajo që është e rëndësishme janë sanksionet e nivelit të dytë ato që kanë të bëjnë me ekonominë sa mund ta bllokojnë, mos të harrojmë se Rusia është një nga më të fortët në energji. Shqetësuese mbetet se Nato duke qenë në aleancë me SHBA dhe në thelb ka paqen dhe duhet të përcaktojë se cila është mbështetja ushtarake që i ofron Ukrainës.
Mos të bëjmë gabim të mendojmë se Ukraina është qëllimi i Putin, qëllimi i tij është më shumë se kaq dhe në këtë pikëpamje shqetësimi i SHBA për të sjellë trupa duhet të shoqërohet me një politikë të qartë, që kjo vijë e kuqe duhet të jetë frenuese për atë që po ndodh sot në Ukrainë sepse ajo është në gjendje dëshpëruese sot më sot.
Por Evropa problemin e parë e ka me vetveten sa dhe si duhet të qëndrojë duhet të jetë aktive. Sanksionet janë të rëndësishme që të gjitha politikat për të frenuar Rusinë duhet të jenë të qarta, përndryshe gjithmonë do të krijohen hapësira që Putin të veprojë për të sulmuar. Mosveprimi i perëndimit do krijojë çarje dhe probleme në koalicionin e vendeve demokratike.



