
Sektori turk i turizmit humbi miliarda euro për shkak të pandemisë së Koronës. Kjo nuk duhet të përsëritet këtë verë. Në mënyrë që të ulet bindshëm numri i infektimeve, vendi tani tërheq frenat e emergjencës.
Numri ditor i infektimeve të reja në Turqi javën e kaluar ishte mbi 60.000, kurse sot u regjistruan vetëm 43.000 njerëz të infektuar. Qeveria turke ka si qëllim të vazhdojë të ulë shifrat e infektimeve. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan shpalli në fillim të javës një ‘lockdown’ të plotë, i cili do të vihet në fuqi pas ditës së enjte (29.04.).
Të gjithë bizneset duhet të qëndrojnë të mbyllura deri me datën 17 maj, ndër to edhe restorantet e kafenetë. Banorët mund të dalin nga shtëpia vetëm për arsye shumë të domosdoshme, për shembull për të blerë ushqimet. Udhëtimet ndërqytetase janë të lejuara vetëm me anë të një autorizimi.
Të përjashtuar nga këto masa janë vetëm turistët, tha ministri i turizmit Mehmet Nuri Ersoy. Muzeumet dhe vendet e rëndësishme arkeologjike do të mbeten të hapura. “Ato përveçse janë të hapura, mund të vizitohen më lehtësisht. Në njëfarë mënyre është e leverdisshme të jesh turist në Turqi”, tha Ersoy.
Me anë të këtij ‘lockdown-i’ qeveria shpreson të shpëtojë sezonin turistik të këtij viti. Për shumë turist nga Evropa dhe Rusia, Turqia është një ndër vendet e preferuara turistike. Atakriselte sjellin shumë para në vend dhe ringjallin ekonominë në krizë. Shpresohet të arrihet ulja e numrit të infektimeve deri në minimum në kohë për sezonin kryesor turistik, në mënyrë që të mos përsëritet dështimi i vitit të kaluar, ku për shkak të kufizimeve të shumta të udhëtimeve, një pjesë e madhe turistëve vendosën të mos shkonin me pushime.
Sipas të dhënave të Institutit Turk të Statistikave (TUIK) në 2020 erdhën 19,9 milionë më pak turistë. Kjo ishte një rënie me gati 70 përqind në krahasim me vitin e mëparshëm. Të ardhurat e përgjithshme nga turizmi u ulën me përafërsisht 8,3 miliard euro. Si pasojë 320.000 të punësuar në sektorin turk të turizmit humbën vendin e punës.
Ky ‘lockdown’ total i Erdoganit do ta ngadalësojë turizmin gjatë javëve të ardhshme. Megjithatë shumë agjensi turistike e mbështesin këtë vendim. Ata shpresojnë, që me anë të këtyre masave, rastet e infektimeve do të bien aq shumë, sa sektori i tyre mund të kthehet sërish në normalitet. / DW / Përktheu: Ina Merlika



